Të shtëna masive në Montgomery: Dy të vdekur, përfshirë një adoleshent, dhe 12 të plagosur në qendër të qytetit

Persona të armatosur hapën zjarr në mesin e një turme të madhe në qendër të qytetit Montgomery, Alabama – SHBA, duke lënë dy persona të vdekur, përfshirë një adoleshent, ndërsa 12 të tjerë mbetën të plagosur.

Shefi i Policisë së Montgomery, James Graboys, konfirmoi se të shtënat ndodhën rreth orës 23:30 të së shtunës në zonën e njohur të jetës së natës të qytetit. Sipas tij, hetimet fillestare sugjerojnë se një nga viktimat mund të ketë qenë shënjestër, por situata eskaloi shpejt kur disa persona filluan të qëllonin në një zonë të mbushur me njerëz.

“Të dy palët ishin të armatosura dhe po qëllonin njëra-tjetrën në mes të turmës. Nuk u interesuan për njerëzit përreth kur e bënë këtë,” tha Graboys për mediat. Ai shtoi se tre nga të plagosurit janë në gjendje kritike për jetën.

Policia po analizon provat në vendin e ngjarjes dhe po merr në pyetje disa të dyshuar, megjithëse deri në orët e para të së dielës askush nuk ishte arrestuar.

“Ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet për të ndjekur çdo person të përfshirë,” deklaroi Graboys, duke identifikuar viktimat si Jeremiah Morris, 17 vjeç, dhe Shalanda Williams, 43 vjeçe.

Kryebashkiaku i Montgomery, Steven L. Reed, tha se ngjarja u shkaktua nga një “mosmarrëveshje”, pa dhënë detaje shtesë. Ai theksoi se incidenti ndodhi në një fundjavë kur qyteti ishte i mbushur me vizitorë për shkak të Panairit Shtetëror të Alabamës, festave të futbollit dhe aktivitetit të Universitetit Shtetëror të Alabamës – të cilat nuk kishin lidhje me të shtënat.

“Mijëra njerëz kanë qenë në qytet këtë fundjavë, dhe vetëm një ose dy persona mjaftuan për ta kthyer këtë atmosferë festive në tragjedi,” tha Reed.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet po punojnë për të garantuar sigurinë dhe qetësinë publike pas kësaj nate tragjike në Montgomery. /Kosova.info/


Go to TOP