Të premtën mbahet konferenca e radhës ndaj Januzit, Bahtjarit dhe Shalës

Të premten në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet që të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës, ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi DhSK.

Sipas njoftimit, konferenca për ecurinë e çështjes ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës do të mbahet të premten në orën 14:30.

Më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup.

Gjithashtu në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.

Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

Mbrojtja e Ismet Bahtjarit, përmes avokatit Felicity Gerry KC kishte dorëzuar pranë DhSK-së një mocion me anë të secilit ka kundërshtuar bashkimin e çështjeve “Bahtjari dhe Januzi” me atë të Haxhi Shalës. Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Go to TOP