Të pasigurt në internet: Rriten rastet e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi

Gjatë vitit 2023, fëmijët në Kosovë ishin dukshëm më shpesh të keqpërdorur në pornografi – herë si audiencë e herë si subjekt i këtyre materialeve – në krahasim me vitet e kaluara, sipas statistikave të Policisë së Kosovës.

Numri i rasteve të tilla ka qenë në rritje gjatë viteve të fundit, mirëpo viti 2023 solli rritjen më të madhe deri tani.

Në termin “pornografi me fëmijë” përfshihet çdo fotografi e video – qoftë reale, qoftë e krijuar në mënyrë elektronike – që shfaq pjesën e organeve gjenitale apo sjellje seksualisht eksplicite të ndonjë fëmije.

Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi nënkupton jo vetëm prodhimin e materialit të tillë, por edhe shitjen, shpërndarjen, shfaqjen apo promovimin e pornografisë te fëmijët.

Sipas prokurorit Shpëtim Peci – i cili në të kaluarën ka punuar në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, ndërsa tani është i angazhuar në Prokurorinë Speciale – numri më i madh i këtyre rasteve kanë të bëjnë me shfaqjen e pornografisë para fëmijëve.

“Kryesisht nuk kemi pasur raste praktike ku fëmijët kanë qenë pjesë e videos, më shumë kemi pasur raste kur fëmijëve u janë shfaqur materialet pornografike, apo të njëjtit janë përdorur me qëllim të stimulimit seksual”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi bëhet “me qëllim që pastaj ata të keqpërdoren seksualisht” dhe sqaron se nëse fëmija përdoret për prodhim të materialit pornografik, atëherë kjo hyn edhe në kategorinë e veprave të tjera penale, siç janë dhunimi dhe sulmi seksual.

Çfarë thotë Kodi Penal i Kosovës?

Dy nene, “Ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçe” dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, në Kodin Penal të Kosovës trajtojnë rastet kur fëmijët janë të përfshirë në ndonjë mënyrë në materiale pornografike.

Ofrimi i materialit pornografik nënkupton rastet kur materialet nuk shfaqen vizualisht, por vetëm u krijohet qasje fëmijëve në mënyra të ndryshme. Ndërsa, në rastin e “keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi” bëhet fjalë për shfaqje të pamjeve para fëmijëve, apo përfshirje të fëmijëve në prodhimin e këtyre pamjeve.

Këto dallime bëjnë që të ketë ndryshim edhe në masën e ndëshkimit. Për ofrim të materialit pornografik për të mitur, dënimi maksimal është tri vjet. Ndërsa, për shpëndarjen dhe shfaqjen e pamjeve pornografike te fëmijët, dënimi nis nga tri deri në dhjetë vjet. Ndërkohë, prodhimi i materialit pornografik ku fëmijët janë të përfshirë, dënohet me deri 15 vjet burgim.

Sa raste po trajtohen aktualisht nga organet e drejtësisë?

Sipas të dhënave të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2023, nëpër prokurori të Kosovës janë dorëzuar shtatë raste që mund të kenë elemente të veprës penale “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”. KPK-ja tha se aktualisht është duke u punuar në gjithsej 11 raste, me 12 persona të dyshuar.

REL-i nuk arriti të sigurojë të dhëna për numrin e rasteve në trajtim e sipër në gjykata, por Adnan Isufi, gjykatës në Departamentin për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thotë se “ka rritje enorme krahasuar me vitet e tjera”. Sipas tij, rritja është rreth 30 për qind.

“Është shumë shqetësuese që edhe të miturit janë të përfshirë në këto vepra penale. Nuk ka qenë më parë kështu, rrallë ka pasur ndonjë rast që një fëmijë është dyshuar për vepra të tilla, ndërsa tani numri është më i madh i personave të mitur se i personave madhorë si të dyshuar”, thotë Isufi për Radion Evropa e Lirë.

Më 24 shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli një aktgjykimin dënues prej gjithsej 40 vjetësh burgim për katër të akuzuar për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë.

Rasti u bë publik në gusht të vitit të kaluar, kur autoritetet thanë se ajo dyshohej se ishte përdhunuar në një park të Prishtinës. Ndër disa vepra, të akuzuarit – të gjithë të mitur – u dënuan edhe për “keqpërdorim të fëmijëve në pornografi”.

I akuzuari E.R. u dënua me 15 vjet burgim, pasi u gjet fajtor për veprën “dhunim”. I mituri XH.S. u dënua me tetë vjet burgim për veprën penale “dhunim” dhe “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”. Për akuza të njëjta u gjetën fajtorë edhe G.R., i cili u dënua me nëntë vjet burgim, dhe G.J. që u dënua me tetë vjet burgim.

Si ndikon pornografia te fëmijët?

Psikiatrja për fëmijë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Mimoza Shahini, thotë se në vitet e fundit është rritur numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë psikologjike shkaku i ekspozimit ndaj materialeve pornografike, apo pamjeve të tjera të dëmshme për moshën e tyre.

Ajo thotë se ata janë veçanërisht të ekspozuar ndaj materialeve të tilla në platforma digjitale.

“Fëmijët, sidomos të moshave 10, 11 dhe 12 vjeçe hyjnë nëpër lojëra kompjuterike në grupe… Aty dikush i identifikon dhe i drejton në ngacmime të pedofilëve, sepse kështu janë pedofilët, hyjnë në grupe të lojërave, e kuptojnë se kush është më i ndjeshëm dhe e tërheqin, e fusin në grupe të tjera pastaj”, shpjegon Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Sipas psikiatres Mimoza Shahini, ndër efektet që mund të shkaktojë ekspozimi ndaj pamjeve pornografike te fëmijët janë: ankthi, depresioni, komplekse për imazhin e tyre trupor, izolim social e probleme me gjumin.

Për më tepër, shton Shahini, ata kanë “një lloj thyerjeje emocionale në mënyrën se si i shikojnë marrëdhëniet seksuale”. Kjo bën që në të ardhmen, ai fëmijë, në marrëdhënien e tij me partnerin, “të ketë pritje joreale”, sipas saj.

Edhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) paralajmëron për efektet e ekspozimit ndaj pornografisë në një moshë të re, pasi që thotë se një gjë e tillë mund të çojë në: shëndet të dobët mendor, seksizëm, dhunë seksuale dhe normalizim të akteve abuzive dhe mizogjene.

Ndryshimi i papritur i sjelljes dhe shtimi i interesit për të folur për aktivitete seksuale është shenja kryesore që fëmija mund të jetë ekspozuar ndaj materialeve pornografike, thotë Shahini. Ajo shton se fëmijët e moshës pesë apo gjashtë vjeçe mund të kenë pyetje, por “ato janë më shumë në kuadër të asaj se si kanë lindur, apo cili është dallimi në mes të dy gjinive”.

E nëse një fëmijë i është ekspozuar materialeve të tilla të dëmshme, Shahini thotë se veprimi që duhet ta bëjnë prindërit është kërkimi i ndihmës profesionale.

Si të mbrohen fëmijët nga pornografia?

Shahini thotë se duhet të bëhen fushata vetëdijesimi për efektet negative të pornografisë te të miturit, si dhe të ndihmohen prindërit në luftimin e këtij problemi.

“Duhet të sigurohemi që fëmijët dhe adoleshentët të mos hyjnë në portalet që janë të rrezikshme për ta. Ekzistojnë programe, ku prindërit mund të informohen në telefon nëse fëmijët e tyre hyjnë në kanale të tilla”, thotë Shahini.

Blerton Abazi, ekspert i sigurisë kibernetike në Kosovë, thotë se ekzistojnë disa aplikacione që quhen “programe për menaxhim prindëror” përmes së cilave prindërit nga telefoni i tyre mund të kontrollojnë pajisjen që e përdorin fëmijët.

“Janë lehtë të qasshme, instalohen në telefonin e fëmijëve dhe kontrollin e kanë prindërit prej telefonit të tyre, prindi mund ta përcaktojë se çka nuk duhet të shikojë fëmija”, thotë Abazi derisa shton se programe të tilla mund të instalohen edhe pa pagesë.

Abazi thotë se kjo mënyrë e kontrollimit po përdoret edhe nga disa prindër në Kosovë, për t’ua bllokuar fëmijëve të tyre qasjen në disa faqe të caktuara.

“Në momentin që një fëmijë ka qasje të palimituar në internet, në rrjetet sociale, në ueb-faqe të ndryshme, rri në kontakt me persona që kanë synim pedofilinë apo pornografinë, apo veprime të tjera të jashtëligjshme dhe kriminale, atëherë është shumë lehtë të bindet që të jetë pjesë e atij procesi, apo pjesë e atij veprimi”, thotë Abazi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të nxjerra në fund të tetorit, pothuajse 99 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet. Pjesa më e madhe e përdoruesve të internetit në Kosovë janë online disa herë gjatë ditës dhe u përkasin grup-moshave prej 16 deri në 34 vjeçe.

Të dhënat e Zyrës së Bashkimit Evropian për Statistika (Eurostat) tregojnë se qasja në internet në Kosovë është më e lartë sesa në shumë vende të tjera të Evropës.

Me probleme të ngjashme të abuzimit seksual të fëmijëve në platforma digjitale përballen edhe vendet e rajonit. Në nëntor të vitit të kaluar, Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Synim të Ligjit (EUROPOL) identifikoi 39 të dyshuar se po bashkëpunonin në një rrjet për abuzim seksual të fëmijëve online në Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi, Slloveni, Hungari dhe Kroaci.

Go to TOP