Tajvani: Stërvitjet e Kinës thelluan solidaritetin ndërkombëtar

Stërvitjet e Kinës rreth Tajvanit i kanë bërë aleatët edhe më të vendosur në ofrimin e mbështetjes dhe solidaritetit, ka thënë ministri i Jashtëm i Taipeit, Joseph Wu.

Pekini ka kryer stërvitje të pashembullta detare dhe ajrore, si shenjë hakmarrjeje ndaj vizitës së udhëheqëses amerikane, Nancy Pelosi në këtë ishull që vetëqeveriset.

Për pasojë, tensionet janë rritur në nivelin më të lartë në dekada.

Tre politikanë tjerë amerikanë kanë vizituar Tajvanin pas vizitës së Pelosit në këtë ishull.

“Ne nuk do të ndalemi së krijuari miq, për shkak të kërcënimeve kineze kundër Tajvanit”, ka thënë Wu për mediat e huaja.

Tajvani përballet me kërcënime të vazhdueshme të Kinës, e cila e konsideron këtë ishull si territorin e vet dhe mëton se do ta pushtojë dikur – qoftë edhe me forcë.

Autoritetet në Pekin zemërohen në rast se zyrtarët në Tajvan takojnë delegacione ndërkombëtare.

Wu ka thënë se shpërfaqja e forcës nga ana e Kinës ka rezultuar “joproduktive”.

Ai ka paralajmëruar vizita tjera të delegacioneve të huaja në Tajvan.

“Shumë miq ndërkombëtarë tashmë na kanë thënë se janë shumë të interesuar të vijnë në Tajvan dhe qëllimi është shumë i thjeshtë – vetëm të tregojnë solidaritet”.

Raportet mes Kinës dhe Tajvanit

  • Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur.
  • Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300,000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
  • Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten.
Go to TOP