​Tahiri: S’pres progres në dialog, Kurti e ka rrezikuar partneritetin me ShBA-në

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se e ka rrezikuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas vizitës së emisarit amerikan, Gabriel Escobar në Kosovë, shefi i deputetëve të AAK-së, është skeptik se do të ketë progres në dialog gjatë këtij viti, derisa thotë se Kurti ka gabuar që s’ka propozuar një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Tahiri për KosovaPress, thotë se Kurti po dëmton raportet me aleatë, veçanërisht me ShBA-në, për shkak të eksperimenteve të tij.

“Jo nuk po pres. Ne duhet të jemi real në politik. Bashkimi Evropian e ka pasur mbështetjen e plotë nga Departamenti i Shtetit në agjendën e dialogut të udhëhequr nga zotëri Lajçak…Kjo qeveri ka rrezikuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për eksperimentime që më pas është tërhequr. A është tërhequr prej tabelave, prej reciprocitetit? A është tërhequr prej zgjedhjeve lokale në veri, ku nisi peticioni për rrëzimin e kryetrarëve që janë me 100 vota. Pse e bëri këtë? Është një eksperimentim që nuk guxojmë me bërë”, thotë ai.

Sipas Tahirit, faktori ndërkombëtar e ka kuptuar se Kurti është joserioz në temën e dialog.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër e ka pranuar marrëveshjen e Brukselit dhe i ka thënë po planit të veprimit të Ohrit dhe po ashtu është dakorduar në Bratislavë për disa tema. Ka shkuar pak më tutje, ky kryeministër dhe ka thënë se unë jam i gatshëm që nesër me nënshkru Asociacionin e krejt. Faktori ndërkombëtar kur je në këtë qasje dëshiron të shoh serioz, e ky nuk është serioz. Nuk ka qenë në gjendje me i dërgu pesë faqe propozim për Asociacion. Nuk kemi një vlerësim kritik, një vlerësim empirik, institucional të qeverisë së Kosovës për Asociacionin. Në këtë temë nuk ka hajgare dhe në këtë temë duhet seriozitet, të shihet se a është ai statut me probleme. Ne si AAK e kemi studiu dhe kemi thënë se Arbitrazhi është problem, kemi thënë se superstruktura e prezantuar është problem”, deklaron Tahiri.

Duke folur për raportin e shërbimeve inteligjence amerikane, ku përmendet mundësia e konflikteve ndër-etnike në Ballkanin Perëndimor, Tahiri thotë se Kosova nuk është e rrezikuar prej qytetarëve serbë në vend, por nga ambiciet luftënxitëse të Serbisë.

“Retorika luftënxitëse buron nga Serbia, respektivisht edhe nga Dodiku në Bosnje, veçanërisht e konfliktit ndër-etnik. Në Serbi asnjëherë nuk janë shuar kërkesat, ëndrrat dhe synimet politike për botën serbe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe unioni evropian duhet të jenë shumë të kujdesshëm, pasi ajo retorik e ka një burim, një rrënjë. Është në një nacionalizëm ekstrem që ka shkaktuar luftëra dhe që me miliona njerëz kanë lëshuar vendet e veta të jetesës dhe me qindra mijëra njerëz kanë vdekur nga kjo retorikë luftënxitëse e Serbisë…Kosova nuk ka rrezik prej qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë. Kosova është e rrezikuar prej ambicieve luftënxitëse të një bote serbe dhe të një Serbie të madhe të gjeneruar në Beograd”, thekson Tahiri.

Krahas kësaj, Tahiri shton se respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket tokës në Manastirit të Deçanit është sfidues për çdo shqiptarë, por i domosdoshëm për respektimin e ligjit në Kosovë dhe anëtarësimin në Këshill të Evropës.

Go to TOP