Sveçla takohet me Makovecin dhe Szunyogun, kërkon heqjen e masave ndëshkuese së BE-së ndaj Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në takim zëvendësdrejtorin Menaxhues për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec, ambasadorin e BE-së në Kosovë Thomas Szunyog dhe ekipet e tyre.

Sipas një postimi të Sveçlës në Facebook, ata biseduan për angazhimet e ministrisë së Punëve të Brendshme me qëllim të sundimit të rendit dhe ligjit, ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Diskutuan për situatën e sigurisë në komunat veriore ku Sveçla thotë se ngriti shqetësimin për kërcënimet e njëpasnjëshme publike të Serbisë dhe vazhdimit të trajnimit të grupacioneve atje, për realizimin e sulmeve të reja brenda Kosovës.

Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të padrejta të BE-së për të cilat ministri i Brendshëm kërkoi  nga Makovec heqjen e tyre.

“Angazhimi ynë i përditshëm i bazuar në vlerat dhe praktikat më të mira evropiane është dëshmi e përcaktimit tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, familje brenda së cilës duhet të jetë patjetër Republika jonë”.

Go to TOP