Sveçla në Paris për çështje të sigurisë, e dëgjon Macronin nga afër

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samendin Mehmeti, kanë marr pjesë në inaugurimin e Panairit Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë, i cili po mbahet nga datat 13-17 qershor 2022, në Paris të Francës.

“Panairi u hap nga Presidenti i Francës, z. Emmanuel Macron, i cili përveç se falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, vuri në pah rëndësinë e investimeve në fushën e industrisë, mbrojtës dhe të sigurisë. Gjithashtu, ai vuri theksin tek mbështetja e tij për një bazë më të fortë industriale dhe teknologjike për mbrojtjen, si dhe mbështetjen e tij për inxhinierët e rinj, hulumtuesit dhe industrinë e së ardhmes”, thuhet në komunikatën e MPB-së të martën.

Meqenëse Eurosatory është panairi më i madh botëror i forcave tokësore dhe ajrore, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, MPB tha se “kjo është një mundësi shumë e mirë për udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, për t’u njohur më mirë me zhvillimet e fundit në fushën e industrisë, mbrojtjes dhe të sigurisë”.

“Në këtë panair ministri Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, do të kenë mundësinë të njoftohen me zgjidhjet më të reja dhe të avancuara të teknologjisë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, të arriturat e fundit në industrinë e armëve dhe pajisjeve të tjera, si dhe vendosjen e bashkëpunimit me shumë shtete që e kanë të zhvilluar dhe të avancuar këtë industri”, thuhet në komunikatë.

MPB thotë se vizita erdhi “në kuadër të përpjekjeve të ministrit Sveçla për të avancuar me politikat e sigurisë”, për të siguruar “jo vetëm siguri dhe mbrojtje në vendin tonë”, por për të siguruar “paqe në rajon dhe më gjerë”.

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP