Sveçla nderon ambasadorin e ndjerë Murati: Humbje e madhe për diplomacinë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e ambasadorit të shquar të Kosovës, Shaban Murati.

Në një postim në rrjetet sociale, Sveçla ka theksuar se, gjatë ditëve të ngarkuara me biseda mbi sigurinë në Munih, mori lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të ambasadorit. Ai e përkujtoi ambasadorin Murati për librat e tij të vlefshëm dhe bisedat e gjalla që kishin pasur, të cilat janë gjithnjë aktuale.

Sveçla vuri në dukje përvojën e gjatë të ambasadorit në fushën e diplomacisë, duke theksuar se ai parashikoi dhe shpjegoi qartë vështirësitë që do të përballonte bota perëndimore dhe veçanërisht rajoni i Ballkanit.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme shprehu besimin se mendimi politik dhe diplomatik i ambasadorit do të respektohet dhe do të vazhdojë të udhëzojë punën e përditshme të institucioneve kosovare. Ai gjithashtu i dërgoi ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të ambasadorit të ndjerë.

“Uroj dhe besoj se në përditësinë e punës sonë do ta respektojmë në lartësinë që i takon mendimin e tij politik dhe diplomatik. I drejtoj ngushëllimet e mia familjarëve dhe miqve të tij të mendimit!”, ka shkruar Sveçla. /Kosova.info/


Go to TOP