Supremja ia ul dënimin nga burgimi i përjetshëm në 35 vite burg të akuzuarit për vrasjen e një 15-vjeçari dhe babait të tij
Gjykata Supreme ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e dënuar Xhafer Bardhin me 35 vite burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë. Fillimisht, Gjykata Themelore më 9 tetor 2023 e kishte dënuar Bardhin me burgim të përjetshëm, vendim ky i vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Megjithatë, më 3 dhjetor 2024, Gjykata Supreme ka aprovuar pjesërisht ankesën e avokatit Haxhi Millaku, duke gjetur shkelje në zbatimin e dispozitave penale dhe duke ulur dënimin e Bardhit në 35 vite burg.
Sipas Supremes, nuk plotësoheshin kushtet për burgim të përjetshëm të përcaktuara në nenin 41 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPPK). Gjithashtu, Supremja ka vlerësuar se pasojat e shkaktuara janë të rënda, por nuk mund të cilësohen si rrethana “veçanërisht të rënda” për të justifikuar burgimin e përjetshëm.
Rasti dhe aktakuza
Ngjarja ka ndodhur më 5 prill 2021 në pyllin e fshatit Gradicë, si rezultat i një mosmarrëveshjeje pronësore. Xhafer Bardhi akuzohej se, bashkë me djalin e tij Amir Bardhi, ka privuar nga jeta 15-vjeçarin A.M dhe babain e tij, B.M.
Aktakuza pretendonte se Xhaferi kishte shtënë me armë gjahu drejt viktimave, ndërsa Amiri e kishte ndihmuar duke ndriçuar me drita gjatë ngjarjes. Në vendin e ngjarjes u gjetën 16 gëzhoja, të cilat kishin vënë në rrezik edhe jetën e disa dëshmitarëve të pranishëm. A.M vdiq në vendngjarje, ndërsa B.M ndërroi jetë pas disa ditësh në spital.
Në fund, Gjykata Supreme liroi Amir Bardhin nga të gjitha akuzat, ndërsa Xhafer Bardhi u dënua për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve, duke marrë një dënim prej 35 viteve burgim.
