Sulmi ndaj policisë në Suhodoll, Lista Serbe pa asnjë dëshmi: Plumbat e policisë përfunduan dritareve

Lista Serbe ka reaguar pasi Policia e Kosovës është detyruar të shti me armë drejt një veture me targa të Novi Pazarit, në Suhodoll, pasi drejtuesi i saj ka goditur një polic dhe veturën e policisë.

Partia më e madhe serbe në Kosovë, e ka dënuar përdorimin e armëve të zjarrit duke thënë, pa e dëshmuar kurrqysh se “një sër plumbash të gjuajtur nga policët e Kosovës përfunduan në dritaret e fëmijëve dhe dhomat e banimit të shtëpive familjare, shkatërruan fasadat e ndërtesave dhe shkaktuan frikë te qytetarët”.

“Për të shmangur konfuzionin, ne absolutisht nuk mbështesim askënd që kryen vepra penale, por gjithashtu kërkojmë që në punën e policëve të respektohen rregullat për kryerjen e operacioneve policore në të cilat thuhet qartë se nuk lejohet rrezikimi i jetës së qytetarëve dhe fëmijëve”.

“Përdorimi i armëve të zjarrit sot mund të kishte sjellë vdekjen e njerëzve të pafajshëm, sepse armët e zjarrit përdoreshin në mes të ditës, kur në trotuar kishte dhjetëra qytetarë që kishin dalë për shëtitje me fëmijët e tyre”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Më tej, Lista Serbe tha se të shtënat e sotme duhet dënuar nga inspektorati policor teksa kërkuan edhe reagim të ndërkombëtarëve.

“Arrestimi i autorit të krimit nuk mund të jetë arsyetim për rrezikimin e jetës së qytetarëve dhe fëmijëve të tyre”, thuhet në reagim.

I dyshuari ka ikur derisa në makinën që është përdorur në veprën penale është gjetur dhe konfsikuar 1.5 deri në 2 kilogramë lëndë narkotike e llojit marihuanë.

Go to TOP