Stoltenberg sërish për marrëveshjen e Ohrit: Të zbatohet plotësisht nga të dy palët

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në publikimin e Raportit të tij Vjetor 2022, ka folur edhe për marrëveshjen e fundit Kosovë-Serbi në Ohër, të cilës ai i referohet si “marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Në një konferencë për media, ai është pyetur nga një gazetar slloven në lidhje me marrëveshjen e dakorduar mes Kurtit dhe presidentit serb, Vuçiq në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Ai kërkoi nga Kosova dhe Serbia që ta zbatojnë në tërësi dhe me shpejtësi marrëveshjen evropiane.

“E mirëpres marrëveshjen dhe gjëja e rëndësishme tani është zbatimi i plotë, zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe natyrisht, ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Aleatët e NATO-s dhe NATO-ja ofron mbështetje politike. Ne kemi qenë në kontakt të afërt me BE-në por edhe me Prishtinën dhe Beogradin. Dhe natyrisht, ne mbështesim përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore përmes rreth 4000 trupave të misionit tonë të KFOR-it në Kosovë, të cilët janë kyçë në lehtësimin dhe mbështetjen e një procesi politik”.

“Pra, mbështesim marrëveshjen. Mesazhi është se ajo duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt nga të dyja palët”, theksoi Stoltenberg.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e përbashkët në Ohër me përfaqësues të Bashkimit Evropian, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord për aneksin për zbatimin e marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, por nuk pati nënshkrime.

Go to TOP