Ja çfarë po shpreson tani SHBA-ja

Bisedimet Kosovë-Serbi kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe Departamenti i Shtetit po e ndjek situatën për së afërmi.

Javën e kaluar, zëvendësndihmëssekretari Gabriel Escobar zhvilloi diskutime në Prishtinë e Beograd që nuk prodhuan “ende rezultate”.
Gjatë fundjavës, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, vazhdoi që të punonte në emër të Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për targat e veturave dhe çështjen e energjisë.

I pyetur të hënën nga faqja amerikane e lajmeve, “Pavlovic Today”, për mesazhin e sekretarit Blinken për Prishtinën dhe Beogradin, duke marrë parasysh se afati i 31 tetorit për targat po afrohet shpejt, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, e ripohoi përkrahjen amerikane për bisedimet Kosovë-Serbi.

“Mesazhi ynë për këtë ka qenë i qëndrueshëm. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Për këtë arsye, zëvendësndihmëssekretari Gabe Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd, për ta përkrahur këtë proces”, tha Price.

“Siç e dini, vetë sekretari është angazhuar thellësisht në këtë çështje. A poli edhe me presidentin serb, Vuçiq, edhe me kryeministrin e Kosovës, Kurti, më herët këtë muaj, besoj se ishte më 11 tetor. Ai e nënvizoi përkrahjen tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës e Serbisë. Ai bëri thirrje për angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqe e stabilitet në mbarë rajonin”, shtoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Përderisa koha po kalon për Prishtinën e Beogradin për të kaluar disa dallime të konsiderueshme, ende ka shpresë se marrëveshja mund të arrihet, shkruan “Pavlovic Today”.

“Ne do të vazhdojmë që ta përkrahim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë që të jemi një partner i Kosovës dhe i Serbisë me shpresën që ato të mund ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore në rrjedhën e ditëve të ardhshme”, tha Price.

Në bisedimet më të reja mes Prishtinës e Beogradit u zhvillua një ngërç i pashmangshëm dhe shpresa për zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët u zbeh. Ajo për të cilën të gjithë në prapaskenë pajtohen është që nevojitet përfshirja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara.

Para dy javëve, sekretari Blinken zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Zëdhënësi Price ka thënë se kryediplomati amerikan ka theksuar se ShBA-ja i përkrah aspiratat evropiane të të dyja vendeve dhe se do të vazhdojë që t’i përkrahë ato.

Në anën tjetër, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Kosovës, ka bërë kërkesë ndaj kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentes, Vjosa Osmani që të shtyhet edhe për 10 muaj afati për ndërrimin e taragve për serbët që posdojnë targa ilegale.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-së, por e gjithë vendeve të QUINT-it”, ka thënë Escobar në Kanal10, duke shtuar se nuk ka marrë granci nga krerët e shtetit për shtyrjen e vendimit.

Të njejtët kërkesë i është bashkuar edhe Bashkimi Evropian të cilët po ashtu, kanë kërkuar që të shtyhet afati për 10 muaj.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës dhe Presidenca, kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër shtyrjes së afatit për konvertimin e targave, duke thënë po respektohet ligji dhe kushtetueshmëria e vendit dhe se ka pasur kohë mjaftueshëm që serbët e Kosovës t’i ndërrojnë targat e veturave.

Go to TOP