Sportistët suharekas, motivojnë të rinjtë që të merren me sport
Në ambientet e Qendrës Rinore në Suharekë, në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara nga kampi veror për rini “Youth Summer Camp”, disa prej sportistëve të njohur të klubeve të këtij qyteti, kanë rrëfyer eksperiencat e tyre, duke i inkurajuar të rinjtë që të merren sa më shumë me sport.
Kapiteni i klubit basketbollistik Ylli, Gëzim Morina, duke treguar para të rinjve se si ka rrjedhur karriera e tij, ka kujtuar momentet kur si fëmijë është angazhuar në tjetër sport, para se të bëhej basketbollist.
“Nuk ka lidhje se në çfarë sporti angazhoheni, e rëndësishme që ta keni dëshirën, vullneti e ta përgatitni vetën, pastaj rrugës mund të definohen gjërat. Unë kam filluar me futboll, por pastaj me sugjerimet nga njohësit e sportit, kam kaluar në basketboll, pasi fiziku im si dhe elementet sportive që i kisha si fëmijë, ishin të përshtatshme për këtë sport”, ka bërë të ditur Morina, i cili nga Sllovenia u kthye në Golden Eagle Ylli, me të cilët fitoi 4 trofe për 2 vjet.
Ndërkohë, trajnerja e klubit të volejbollit për femra, Gjinoci, Rudina Berisha, ka ftuar të gjitha vajzat e reja që t’i bashkohen këtij sporti, sikurse edhe të tjera lëmive sportive, pasi sot Kosova gëzon mundësi të mira për suksese, krahas edhe shumë përfitimeve për vetë shëndetin.
Mesazhe edukative përmes sportit, tek të rinjtë suharekas përçuan edhe pjesëtarë të klubit “Suhareka Hiking”, gazetari, Kushtrim Reshitaj, trajneri i basketbollit, Hasan Bytyqi e drejtoresha e Theranda Art, Drenueta Berisha.




