Specialja: Shala duhet të paguajë 208 mijë euro për viktimat
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka urdhëruar që Pjetër Shala duhet të paguajë 208 mijë euro për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore kundër tij.
Sot, më 20 nëntor 2024, Trupi Gjykues I shqiptoi në seancë publike urdhrin për zhdëmtim në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Pjetër Shalës.
Pjetër Shala u shpall fajtor më 16 korrik 2024 për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe u dënua më 18 vjet burgim, ku llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Në këtë çështje gjyqësore, tetë viktima pjesëmarrëse kërkuan zhdëmtim.
Trupi Gjykues urdhëroi z. Shala të paguajë një shumë prej 208.000 eurosh si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material shkaktuar viktimave të krimeve për të cilat u shpall fajtor.
Kompensimet individuale për tetë viktimat janë midis 100.000 euro dhe 8.000 euro dhe, krahas kësaj, shtatë viktimave iu akordua bashkërisht edhe një shumë prej 50.000 eurosh. Këto shuma burojnë nga kërkesa e Mbrojtësit të Viktimave, që Trupi Gjykues i gjykoi të arsyeshme dhe që pasqyrojnë shkallën dhe përmasat e dëmit që pësuan viktimat.
Trupi Gjykues theksoi se juridiksioni i tij në këtë çështje gjyqësore do të përfundojë me nxjerrjen e këtij Urdhri për Zhdëmtim. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues ftoi Kryetaren e DHSK-së të caktojë një Gjykatës të Vetëm për monitorimin dhe mbikëqyrjen e vënies në jetë dhe zbatimit të këtij Urdhri për Zhdëmtim.
Megjithëse Trupi Gjykues rikujtoi se përgjegjësinë për pagesën e kompensimit për viktimat e mban ekskluzivisht Shala, ai theksoi se në kohën e lëshimit të Urdhrit për Zhdëmtim, z. Shala nuk duket se zotëron mjetet financiare për përmbushjen e plotë të urdhrit. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues theksoi nevojën për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, sidomos të Kosovës.
Trupi Gjykues theksoi fillimisht se programi i Kosovës për kompensimin e viktimave të krimit mund të jetë një mënyrë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, edhe pse shumat maksimale që mund të akordohen nga ky program janë më të ulëta se ato të përcaktuara në Urdhrin për Zhdëmtim.
Trupi Gjykues theksoi gjithashtu se Kosova ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar realizimin e kompensimit për viktimat e krimeve që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues ftoi përsëri Kosovën që të miratojë ligjet e nevojshme dhe të krijojë një mekanizëm zhdëmtues për kompensimin e viktimave të krimeve që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
Trupi Gjykues shpjegoi se ky hap do të siguronte detyrimin e Kosovës lidhur me të drejtat e viktimave sipas traktateve ndërkombëtare; do të arrinte trajtimin e barabartë midis viktimave, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, të dyshuarve dhe akuzuarve para Dhomave të Specializuara, të cilët mbështeten financiarisht për mbrojtjen e tyre nëpërmjet buxhetit të Kosovës; dhe do të shmangte diskriminimin midis viktimave të konfliktit të armatosur në Kosovë në 1998-1999.
Në lidhje me këtë, Trupi Gjykues vëren se legjislacioni i Kosovës që trajton dëmin dhe lëndimet e pësuara në kontekstin e konfliktit të armatosur u referohet vetëm viktimave prej forcave të armikut, d.m.th. forcave serbe.
Krahas kësaj, Trupi Gjykues vuri në dukje se tani ekziston mundësia që donatorët t’i kontribuojnë me fonde të pakushtëzuara Dhomave të Specializuara, nëse dëshirojnë të mbështesin pagimin e kompensimit që u është akorduar viktimave në bazë të një urdhri për zhdëmtim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.
Trupi Gjykues theksoi se nisma e lartpërmendur nuk liron as Shala nga detyrimi për të kompensuar viktimat në përputhje me Urdhrin për Zhdëmtim, as Kosovën për të përmbushur detyrimet e saj ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme, përmes krijimit të një mekanizmi zhdëmtues të mirëfilltë.