Soucek: Kemi ende mundësi për kualifikim, synojmë fitoren ndaj Turqisë

Kapiteni i kombëtares së Çekisë, Tomas Soucek, u shpreh i zhgënjyer pas barazimit 1:1 me Gjeorgjinë në ndeshjen e xhiros së dytë në Euro 2024, por shfaqi optimizëm për kualifikim tutje.

Soucek tha se ekipi i tij kishte shumë raste për të shënuar dhe se ishte e vështirë për ta kur pësuan gol nga penalltia.

“Ne dëshironim të fitonim dhe t’i afrohemi më shumë kualifikimit. Tani kemi një pikë. Kemi pasur shumë raste që duhet të kishim shënuar dhe më pas pësuam nga penalltia, kështu që ishte e vështirë për ne,” tha Soucek.

Megjithatë, kapiteni çek është i bindur se ekipi i tij është ende në garë dhe do të përgatitet me të gjitha forcat për ndeshjen e fundit në grup kundër Turqisë.

“Ne jemi ende në garë dhe do të shkojmë në ndeshjen e fundit në grup me dëshirën për të fituar. Portieri i Gjeorgjisë ishte lojtari i ndeshjes, që tregon se ne luajtëm mjaft mirë. Por në fund, të dy ekipet shënuan vetëm një herë dhe morën nga një pikë”, tha ai.

Duke folur për ndeshjen vendimtare kundër Turqisë, Soucek pranoi se ata nuk i dinë të gjitha rezultatet e tjera, por janë të vetëdijshëm se vetëm një fitore do t’i kualifikonte ata më tej. “Ne nuk mund t’i dimë rezultatet e ndeshjeve tjera, por e dimë që do të na duhet të fitojmë kundër Turqisë, dhe do të punojmë për këtë që tani. Do të jetë një ndeshje e shkëlqyer për tifozët e të dyja ekipeve. Shpresojmë të marrim tre pikët për t’u kualifikuar”, tha Soucek.

Go to TOP