Sot hapet edicioni i 24-të i Panairit të Librit

Sot, në ambientet e Pallatit të Rinisë, hapet edicioni i 24-të i Panairit të Librit, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Organizatorët e panairit kanë bërë të ditur se në panair do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, me rreth 2 mijë tituj të rinj.

Me moton “Përgjigjja është libri”, në ambientet e Pallatit të Rinisë, sot hapet edicioni i 24-t i Panairit të Librit në Kosovë. Organizatori i këtij panairi, Edon Zeneli, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se ky panair do të jetë ndër panairet me të mëdhenj ku pjesëmarrës në këtë edicion do të jenë rreth 100 shtëpi botuese.

“Ky panair do të mbledhë rreth vetës rreth 100 ekspozues nga të gjitha trevat shqiptare. Prandaj, ky panair është panairi me i madh i librit shqip në termat e botueseve pjesëmarrës”, tha ai.

Po ashtu, Zeneli tha se në këtë panair do të jenë 2 mijë botime të reja. 

“ Janë mbi 2 mijë botime të reja që vijnë për këtë panair libri që kanë dalë në harkun kohor nga panairi i vitit të kaluar deri të ky panair. Dhe kjo gjë, përben interesin dhe lajmin kryesore për lexuesit”, tha ai.

Në panair do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 21:00, kurse do të mbyllet më 9 qershor në orën 19:00.

Go to TOP