Skulptori Destan Gashi ekspozon veprat në kopshtin e shtëpisë
Skulptori i njohur kosovar që jeton dhe krijon në Vjenë të Austrisë, autor i disa ekspozitave personale, Destan Gashi, paraqitet sot me ekspozitën e tij në kopshtin e oborrit, në shtëpinë e lindjes në fshatin Zoçisht të Rahovecit.
Në këtë ekspozitë, e cila hapet sot në orën 16:00, skulptori Destan Gashi do të prezantojë 23 skulptura të sjella nga Vjena dhe Brukseli.
Në një intervistë për Radio Kosovën, skulptori Gashi tha se motivi për të sjellë veprat e tij artistike në vendlindjen e tij, është thjesht dashuria për vendlindjen.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur sot dhe nesër.
Gashi është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel, fillimisht në pikturë më 1978 dhe më vonë në skulpturë.
Prej vitit 1987 jeton dhe krijon si skulptor i pavarur në Vjenë të Austrisë. Ai ka ekspozuar punimet e tij në shumë muze e galeri të ndryshme si në Austri ashtu dhe vende tjera të botës.
Skulpturat e tij janë të vendosura edhe në Muzeun Nacional të Vjenës.
Për skulpturat e tij, Gashi është nderuar me disa çmime, përfshirë çmimet “Prix d´Excellence de la Ville de Bruxelles”, “Prix de Doutrelon de Try” dhe “Medaille de la ville de Bruxelles”.
Këtu mund të gjeni disa foto të skulpturave të tij:
