S’kalon kërkesa e opozitës që tri projektligje të hiqen nga rendi i ditës

Opozita nuk i pati votat për t`i hequr nga rendi i ditës projektligjet për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që nëpërmjet një rezolute, Qeveria t’i largojë këto tri projektligje, derisa këtë e mbështeti edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Si Grup Parlamentar kërkojmë që përmes një rezolute ta obligojmë Qeverinë e Kosovës për tërheqjen e tri projektligjeve që ne vlerësojmë që janë në kundërshtim me frymën kushtetuese”, deklaroi Tahiri.

Ai shtoi se si opozitë nuk duan që ta kenë betejën politike në këto tri projektligje, teksa tha se së bashku mund ta bëjnë ligjin, sidomos në ligjin cenon fjalën e lirë dhe mediet e lira në vendin tonë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se grupi i LDK-së vlerëson se mocioni është i arsyeshëm.

“Këto tri ligje kanë përmbajtje kundërshtuese dhe si të tilla duhet të tërhiqen nga rendi i ditës dhe Kuvendit të mos shqyrtojë”, ka deklaruar Gashi.

Ndërsa, Besnik Tahiri i AAK-së ka thënë se seanca e sotme është “ndër seancat më të dëmshme të kësaj legjislature”.

“Ka mundësi që të miratohen këto tri ligje që e kanë veç një synim: kapjen e shtetit në mënyrë ligjore, të institucioneve të pavarura”, ka shtuar Tahiri.

Ndërkaq deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi tha se janë Projektligje të ndryshme për nga natyra.

“Nuk mund të kërkohet përmes rezolutës heqja e këtyre Projektligjeve nga rendi i ditës, për çka ne si grup parlamentar jemi kundër”, ka theksuar Rrustemi.

Sipas tij, deputetët e opozitës kanë pasur mundësi të japin vërejtjet e tyre gjatë dy leximeve, por se nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Ne ftojmë deputetët të ecin tutje me miratimin e tyre”, ka theksuar Rrustemi.

Kundër kësaj kërkese ishin 53 deputetë dhe 21 për.

Edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra propozoj një mocion tjetër. Ajo kërkoj të votohet që si pikë e parë e rendit të ditës të diskutohet për tri arratisjet e fundit nga burgjet e shtetit.

Deliu tha se dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë dhe prandaj tha se kërkojnë që kjo çështje të diskutohet si pikë e parë e rendit.

Përfaqësues të grupeve parlamentare të LDK-së dhe AAK-së, mbështetën kërkesën e deputëtës Blerta Deliu-Kodra.

Më pas, deputetët e partive opozitare lëshuan sallën e Kuvendit.

Go to TOP