S`ka fitues në finalen e Kupës, Ballkani e Prishtina luajnë në shtesë

Nëntëdhjetë minutat e kohës së rregullt nuk e kanë nxjerrë fituesin e Kupës së Kosovës në futboll. 

Finalja e të mërkurës në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas mes Ballkanit dhe Prishtinës është mbyllur baras. Rezultati i takimit ka qenë 2-2, duke bërë që ndeshja të shkojë në kohën shtesë. 

Skuadra suharekase e ka gjetur epërsinë qysh në pjesën e parë, kur Hamidi ka realizuar në minutën e njëzet e një. 

Me avantazh minimal janë mbyllur edhe dyzet e pesë minutat e parë. 

Me kthimin në fushë pas pesëmbëdhjetë minutave pushim, skuadra e Ilir Dajës ka arritur ta gjejë edhe golin e dytë. Ka qenë minuta e pesëdhjetë e një kur Korenica ka shënuar. 

Nga ky moment ndeshja ka nisur të flasë në favor të Prishtinës. 

Skuadra e drejtuar prej Emmanuel Egbo fillimisht e ka barazuar rezultatin me golin e Krasniqit në minutën e shtatëdhjetë e shtatë nga penalltia. I njëjti futbollist ka qenë  protagonist edhe i golit të dytë në minutën e tetëdhjetë e dytë. 

Pas barazimit skuadrat do të detyrohen të luajnë dy herë nga pesëmbëdhjetë minuta. Nëse as koha shtesë nuk e sqaron fituesin, atëherë skuadrat do të bëjnë ekzekutimin e njëmbëdhjetë metërshave. 

Një fitore e Prishtinës bën që kryeqytetasit të luajnë në kualifikimet e Conference league, ndërsa po qe se Prishtina mposhtet atëherë në Evropë pritet të dalë Malisheva.    

Go to TOP