“Situata jonë është e tmerrshme”: Ish-ushtarakët afganë të harruar në Indi

Vetëm disa javë para rënies së saj, Qeveria e Afganistanit, e mbështetur nga Perëndimi, dërgoi dhjetëra oficerë të ushtrisë për stërvitje në Indi, një aleate e ngushtë.

Midis tyre ishte kapiteni, Obaidullah Zahir, një yll në rritje në Ushtrinë Kombëtare afgane, e cila po luftonte me kryengritjen talibane.

Pasi grupi militant mori pushtetin në gusht 2021, oficerët afganë mbetën të mbërthyer në Indi, të paaftë për t’u kthyer në atdheun e tyre nga frika për jetën e tyre dhe u lanë të kujdeseshin nga autoritetet indiane.

Kjo neglizhencë çoi në vdekjen e Zahirit, sipas ish-shokëve të tij. Oficeri ushtarak vdiq nga kanceri në Nju Delhi në fillim të këtij muaji.

“Ai vdiq për shkak të vonesës së gjatë në marrjen e trajtimit”, tha Behzad, një tjetër ish-oficer i ushtrisë afgane, i cili nuk e zbuloi emrin e tij të vërtetë për shkak të shqetësimeve të sigurisë, për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë.

Behzad tha se ai dhe oficerë të tjerë ushtarakë afganë fillimisht financuan trajtimin e Zahirit. Pavarësisht kërkesave të përsëritura drejtuar zyrtarëve indianë, asnjë ndihmë nuk iu dha. Në kohën kur autoritetet dërguan Zahirin në një spital ushtarak indian, ishte tepër vonë. Ai vdiq vetëm një javë më vonë, tha Behzad.

“Ne të gjithë kontribuuam në organizimin e funeralit të tij dhe dërgimin e tij për t’u varrosur në atdheun tonë”, tha Behzad, i cili gjithashtu banon në Nju Delhi.

Trupat e Korpusit 215 të Ushtrisë Kombëtare të Afganistanit zbarkojnë me një helikopter Black Hawk të Forcave Ajrore Afgane, gjatë një rifurnizimi të trupave në kampin Shorabak në provincën Helmand. 28 korrik 2018.
Trupat e Korpusit 215 të Ushtrisë Kombëtare të Afganistanit zbarkojnë me një helikopter Black Hawk të Forcave Ajrore Afgane, gjatë një rifurnizimi të trupave në kampin Shorabak në provincën Helmand. 28 korrik 2018.

Vdekja e Zahirit ka vënë në qendër të vëmendjes gjendjen e një numri të madh të ish-personelit ushtarak afganë që mbeten të bllokuar në Indi, rreth 16 muaj pasi qeveria afgane e njohur ndërkombëtarisht u rrëzua dhe talebanët morën pushtetin në Afganistan.

Ish-luftëtarët kanë frikë të kthehen në Afganistan, ku grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar vrasjet, torturat dhe zhdukjet e qindra ish-anëtarëve të forcave të sigurisë së Afganistanit nga talebanët.

“Kam frikë se kthimi në vendin tim do të më kushtojë me jetë”, tha Behzad, i cili së bashku me Zahirin ishin në mesin e 120 oficerëve ushtarakë të dërguar në Indi në korrik të vitit 2021. 

Disa dhjetëra oficerë afganë janë kthyer në Kabul pasi kanë përfunduar kurset e tyre të trajnimit njëvjeçar në Indi. Talebanët u kishin garantuar atyre siguri dhe punë. Por është e paqartë nëse ata tani punojnë për talibanët.

Radio Azadi kontaktoi disa prej tyre, por ata refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me sigurinë apo punësimin e tyre.

Nju Delhi nuk është nënshkrues i Konventës së OKB-së të vitit 1951 në lidhje me statusin e refugjatëve ose protokollit përkatës të vitit 1967, që synon të eliminojë kufizimet se kush mund të konsiderohet refugjat. Por, në të kaluarën, India u ka dhënë azil refugjatëve nga Afganistani, kryesisht anëtarë të pakicave të vogla Sikh dhe Hindu të atij vendi. 

Shumë nga ish-personeli ushtarak janë me viza të përkohshme dhe nuk kanë të drejtë të punojnë ose të marrin ndihmë nga qeveria. Disave u janë ofruar kurse ushtarake njëvjeçare.

Behzad tha se India duhet të ndjekë shembullin e vendeve perëndimore që kanë dhënë azil ose kanë rënë dakord të rivendosin ish-personelin ushtarak afgan në vendet e treta.

“Si një mik i vjetër i popullit afgan, India duhet të na ofrojë mbështetje materiale derisa situata në Afganistan të ndryshojë”, tha ai, duke iu referuar marrëdhënieve të ngushta historike të Kabulit me Nju Delhin.

India nuk ka komentuar mbi fatin e ish-personelit ushtarak afgan që banon në vendin e Azisë Jugore. Por ambasada afgane në Nju Delhi, e cila ende përfaqëson qeverinë e mëparshme, tha se është në kontakt me autoritetet.

“Së bashku me autoritetet indiane, ne duam të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme për problemet e tyre”, tha ambasada afgane në një deklaratë dërguar Radio Azadi.

Kjo u jep pak ngushëllim për shumë nga oficerët afganë.

“Ne nuk kemi të ardhme të qartë”, tha Javed, një ish-oficer i ushtrisë afgane, i cili nuk donte të zbulonte emrin e tij të vërtetë për arsye sigurie. “Dëshira ime e vetme ishte të kthehesha në vendin tim dhe t’i shërbeja atij, por kjo nuk është e mundur tani”.

Javed tha se shumë nga oficerët kanë anëtarë të familjes dhe të afërm në Afganistan, një realitet që i mbush me frikë. Talibanët kanë vënë në shënjestër anëtarët e familjeve të ish-personelit të sigurisë në Afganistan.

“Situata jonë është e tmerrshme”, tha ai për Radio Azadi, duke shtuar se ata janë gjithashtu “të shqetësuar për atë që po kalojnë familjet tona në Afganistan”.

Go to TOP