Simeone synon kualifikimin ndaj Arsenal dhe finalen e tretë në Champions
Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka deklaruar se skuadra e tij synon kualifikimin në finalen e Champions League, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Spanjë.
Argjentinasi është në kërkim të finales së tij të tretë në këtë garë dhe ka theksuar se gjithçka do të varet nga paraqitja në fushë.
“Futbolli ka të bëjë me lojtarët. Ne si trajnerë mund t’i ndihmojmë të menaxhojnë emocionet, por përvoja është ajo që sjell qetësi në ndeshje të tilla”, është shprehur Simeone.
Ai ka shtuar se shpesh para gjysmëfinaleve krijohen histori dhe presion i panevojshëm, por sipas tij vendimtare është performanca.
“Kushdo që luan më mirë dhe shfrytëzon pikat e forta, do të jetë më afër fitores. Duhet të luajmë me intensitet dhe të lejojmë përvojën e lojtarëve të bëjë diferencën”, ka thënë ai.
Simeone ka theksuar se skuadra ka besim të madh dhe një plan të qartë për të arritur në finale.
Ndërkohë, ai ka konfirmuar se Julian Alvarez është i gatshëm për ndeshjen, pavarësisht shqetësimeve për lëndim. Trajneri e ka vlerësuar sulmuesin si shumë të rëndësishëm, duke theksuar se ai e njeh mirë futbollin anglez.
