Simeone kërkon kujdes nga Barcelona, pavarësisht epërsisë 4-0

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, ka paralajmëruar skuadrën e tij që të mos e nënvlerësojë Barcelonën, edhe pse ka fituar ndeshjen e parë 4-0 në gjysmëfinalen e Copa del Rey.

Simeone ka theksuar se epërsia nuk është garanci për kualifikim.

Ai e ka cilësuar Barcelonën si një kundërshtar shumë të fortë, agresiv në sulm dhe ndër më konkurruesit në LaLiga dhe në Evropë.

“Po mendojmë për ndeshjen që kemi përpara, kundër një kundërshtari shumë të mirë, që sulmon, luan hapur dhe si ekip, duke e bërë një nga skuadrat më konkurruese në LaLiga dhe në Evropë”, ka deklaruar Simeone.

Barcelona, që kryeson kampionatin spanjoll, ka shënuar shtatë gola në dy ndeshjet e fundit. Simeone ka folur edhe për talentin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal.

“Është një lojtar shumë i mirë individualisht, veçanërisht i rrezikshëm në fazat përfundimtare të lojës… duhet ta vendosim në pozita ku ai ndihet më pak rehat, që është duke mbrojtur”, është shprehur trajneri argjentinas.

Atletico aktualisht renditet e treta në La Liga dhe mbetet në garë edhe në Champions League, ndërsa Simeone është shprehur i kënaqur që skuadra e tij po lufton në disa fronte në fazën vendimtare të sezonit.


Go to TOP