Bajrami: Kurti po e mban peng vendin për presidentin, zgjedhjet nuk janë zgjidhje
Deputetja e Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e akuzuar për mungesë vullneti dhe përgjegjësie në procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Sipas saj, Kurti ka zhvilluar dy takime me kryetarët e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por pa paraqitur asnjë propozim konkret apo emër për postin e presidentit. “Takime sa për t’i treguar njëri-tjetrit që nuk përkrahin kandidatë partiakë”, ka theksuar Bajrami.
Ajo ka rikujtuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), së bashku me përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë, i ka 66 vota në Kuvend dhe mban përgjegjësinë kryesore për zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, LVV ka pasur dy alternativa: të përfshijë një parti tjetër në Qeveri për të siguruar votat e nevojshme ose të propozojë një president apartiak, të pranueshëm për shumicën.
“Kurti as nuk e ka bërë të parën dhe as nuk po e bën të dytën. Nëse mendon se do ta zgjedhë presidentin me shantazh, duhet të mendohet dy herë, sepse gjasat janë reale që nuk përsëritet më 2021-ta”, është shprehur ajo.
Bajrami ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me zgjedhje të reja, por sipas saj, kjo nuk do të sillte zgjidhje. “Do të mbetemi pa institucione funksionale me muaj të tërë, do të shpenzojmë dhjetëra miliona euro nga taksat e qytetarëve dhe do të kthehemi saktë në pikën ku jemi sot. Kjo është papërgjegjësi totale”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e LDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve të vëzhgojnë sjelljen e kryeministrit duke shtuar se ai nuk po merret me shqetësimet reale të qytetarëve, si rritja e faturave të energjisë, arsimi, shëndetësia dhe migracioni.
“Nuk guxojmë të mbetemi peng i dy apo tre emrave për president. Kosova ka burra e gra me dije dhe integritet jashtë partive politike, madje më shumë se brenda tyre. Duhet vullnet dhe guxim për ta vendosur interesin e vendit dhe të qytetarit para interesit personal dhe partiak”, ka përfunduar Bajrami. /Kosova.info/
