Sigal Prishtina humb në sekondat e fundit, Peja mposhtet thellë në Greqi

Sigal Prishtina dhe GO+ Peja janë mposhtur në ndeshjet e Ligës ENBL.

Sigal Prishtina pësoi një humbje dramatike ndaj Keila Coolbet në Estoni, me rezultat 92:90 (17:25, 27:26, 30:30, 18:19) e GO+ Peja është mposhtur thellë në Greqi nga Iraklisi, duke pësuar 122:80.

Në Estoni ndeshja ka qenë e baraspeshuar dhe me shumë kthesa në rezultat, por vendasit e kanë siguruar fitoren me një trepikësh të Maletiqit vetëm tre sekonda para fundit të takimit.

Te skuadra prishtinase është dalluar Kahlil Dukes me tridhjetë pikë, ndërsa Deondre Burns ka kontribuar me njëzet e tri pikë dhe tetë kërcime. Kjo ka qenë fitorja e parë për ekipin estonez pas shtatë humbjeve, ndërsa Sigal Prishtina e ka mbyllur fazën e grupeve me katër fitore dhe katër humbje.

Në ndeshjen tjetër skuadra greke ka dominuar nga fillimi deri në fund, ndërsa diferenca përfundimtare ka qenë dyzet e dy pikë.

Kjo ka qenë humbja e pestë për Pejën në European North Basketball League, ku “verdhezinjtë” kanë vetëm një fitore.

Te verdhezinjtë, më efikasi ka qenë Skyler (Tyron) Flatten me njëzet e tri pikë, ndërsa Cesare Edwards ka realizuar katërmbëdhjetë pikë dhe tetë kërcime.
Iraklisi vazhdon të konfirmohet si një prej skuadrave më të forta të ENBL-së, me gjashtë fitore dhe vetëm një humbje.

Në ndeshjen e kaluar, Peja kishte humbur me rezultat zyrtar, pasi nuk kishte udhëtuar për shkak të fokusit në garat vendore.

Go to TOP