Si festohet Krishtlindja në një vend me shumicë myslimane?
Katedralja Shën Nënën Tereza në Prishtinë është bërë gati për të festuar Krishtlindjen me gjithë ritet e festës.
Por, aty mund të shkojnë mysafirë edhe të besimit islam për të ndarë festën dhe mesazhet për bashkëjetesë që jep kjo festë, njofton Klan Kosova.
Famullitari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, ka treguar se si festohet Krishtlindja në Kosovë, ku shumica e popullatës janë të besimit islam.
“Nuk na pengon neve fare, sepse vetë Jezu Krishti ka ardhur për shpëtimin e gjithë njerëzve dhe thelbi i porosisë së Jezu Krishtit është dashuria. Dashuria nuk ndahet me kategori që ne t’i duam ata që i kemi të gjakut, të fisit, apo ata që janë shqiptarë, apo ata që janë besimtarë të krishterë. Dashuria e Zotit është e paskajshme”.
Gjergji thotë se në fakt mbijetesa e shqiptarëve në periudhat më të errëta është siguruar edhe nga kjo vëllazëri dhe bashkëjetesë fetare.
“Ne gjithmonë kemi festuar vëllazërisht e bashkërisht, gjithmonë. Edhe në rrethanat më të vështira. Edhe atëherë kur s’e kemi ditur a do të na çelë dita apo do të na zë nata. Kemi qenë dhe jemi të vëllazëruar”.
