Shukaten zërat për hapjen e Urës së Ibrit

Janë heshtur zërat për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ndonëse pati paralajmërim se hapja e Urës së Ibrit do të bëhet së shpejti dhe përkrahja ishte edhe nga Qeveria, askush më s’po flet për këtë temë. Por cilat ishin diskutimet e fundit për këtë çështje?

Ura e Ibrit që për shumë vite është mbyllur për qarkullim të veturave, është paralajmëruar se do të hapet së shpejti. Vitin e kaluar kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut mori vendim që ajo të hapet e kjo çështje u përmend edhe në fund të muajit maj. Kjo pasi i zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se Ura e Ibrit do të hapet “shumë shpejt”.

“Unë e konsideroj që është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapët dhe si do të hapet. Një herë e patëm përmend që ka mundësi me u hap ura dhe me u mbushë me autoblinda në një farë vendi, por jemi duke e diskutuar me eprorët tanë se si ka mundësi kjo të bëhet. Unë konsideroj se nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapet është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shumë shpejt do ta kemi edhe urën e hapur”, ka thënë Elshani më 30 maj.

Asamblistët e Vetëvendosjes në kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, një ditë pas deklaratës së Elshanit kanë kërkuar që të zbatohet vendimi për hapjen e urës, që ishte marrë vitin e kaluar.

Aida Ferati-Doli, asambliste e VV’së, tha se çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut si dhe Republikës së Kosovës.

“Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje”, tha ajo gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal më 31 maj.

Edhe zëvendësministri i MAPL-së, Arbër Vokrri, ka thënë se nuk ka ndonjë datë të saktë, por sipas tij nuk ka arsye që të pritet vjeshta. Ai thotë se janë krijuar kushte për hapjen e urës, pasi që janë zvogëluar mundësitë për trazira.

“S’jam i sigurt për kohën e saktë, natyrisht se është diskutuar më shumë se njëherë mes institucioneve të shtetit tonë dhe ka arsye që nuk është shtyrë pra vendimi për zbatimin pasi e ka votuar Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës Veriore. Pra, arsyeja ka qenë e thjeshtë që të mos ngutemi të mos dukemi që po tentojmë ta provokojmë situatën, mirëpo me kalimin e kohës potenciali për trazira vërehet qartë se është zvogëluar. Mendoj se para vjeshtës që i bie gjatë verës. Por, datë të saktë nuk kemi. Mendoj se nuk ka nevojë të pritet vjeshta fare”, tha ai.

Menjëherë pasuan reagimet nga ndërkombëtarët që kërkuan që kjo çështje të trajtohet në kuadër të dialogut që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

Ndërkombëtarët s’duan vendime të njëanshme, duan zgjidhje me dialog

Ioanna Lachana, zëdhënëse e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, pati thënë se Bashkimi Evropian mbetet i gatshëm për të lehtësuar bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, teksa shprehu qëndrimin e BE-së përmes të cilit bëhet thirrje që Kosova e Serbia të përmbahen nga veprime provokuese që rrezikojnë stabilitetin dhe largon palët nga zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve si prioriteti i tyre kryesor.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhet në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lachana.

Edhe nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë u tha se çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Edhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh pati bërë thirrje që të evitohen hapat e njëanshme për sa i përket hapjes së Urës së Ibrit për automjete.

Ajo tha se kjo çështje duhet që të zgjidhet në dialog.

“PSSP Ziadeh përsërit se veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet, të rrezikojnë stabilitetin dhe të minojnë besimin midis komuniteteve duhet të shmangen. Çështjet e pazgjidhura, përfshirë. planet për të rihapur urën e Ibrit të Mitrovicës për automjete, që do të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ambasadorët e vendeve të QUINT’it poashtyu kërkuan koordinim për hapjen e urës që ndan Mitrovicën.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu thotë se hapja e urës mbi lumin Ibër duhet të bëhet në koordinim me faktorët ndërkombëtarë.

“Hapja e urës, siç është thënë edhe në nivel të Bashkimit Evropian dhe të Quint-it, duhet të jetë një akt i përbashkët përmes një operacioni të koordinuar me faktorët ndërkombëtarë. Prandaj, ajo që kërkojmë, si në shumë situata të tjera, është që të ketë koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Hapja e kësaj ure, duke pasur reflektime nën aspektin e sigurisë, sipas nesh duhet të vlerësohet me kujdes. Nuk jemi kundër hapjes së urës, por kërkojmë, si në shumë situata të tjera, që të ketë një koordinim me Bashkimin Evropian, me vendet e QUINT-it dhe me komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi”, pati thënë De Riu.

Ndërkaq, në një deklaratë për RTK nga ura, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ai francez Oliver Guerot kanë thënë  se ka detyra shtëpie që duhet të kryhen në mënyrë që të hapet kjo urë.

Rohde përmendi edhe vizitën e ministres së jashtme të Gjermanisë tek ura e Ibrit para dy vitesh. Ai tha se ka pasur premtime që kjo urë të hapet edhe atëherë.

“Urat pra lidhin njerëz. Politikanët, shoqëria pra duhet të punojnë shumë që njerëzit në Mitrovicë të veriut dhe në atë të jugut thjeshtë të mund ta gëzojnë qytetin, ashtu siç kemi bërë në të kaluarën dhe ministrja ime e jashtme ka qenë para dy vitesh këtu , ka biseduar me kryetarët e komunave dhe janë lidhur ato premtimet, por nuk janë hequr ende postblloqet. Këtë duhet ta bëjnë politikanët dhe të punojnë në këtë drejtim. Simbolika e kësaj ure që e shohim në anën e majtë dhe të djathtë, shoh polic dhe postblloqe. Pra shihet që ka detyra  shtëpie që duhet të kryhen dhe kjo urë duhet që t’I lidh njerëzit dhe jo t’i ndajë njerëzit sepse urat janë për t’i lidhur njerëzit”, pati thënë  Rohde.

Ndërsa, ambasadori i Francës, Olivier Guerot tha se ka dëshirë që mbi urën e Ibrit të ketë kafiteri dhe më shumë lule.

“Për sa i përket kësaj ure, trupat franceze në një moment të caktuar i ka ndalur ekstremistët nga të dyja anët , duke mos i lejuar që të dalin në anën tjetër dhe për t’u siguruar që situata të mos përkeqësohet dhe shumë nga ushtarët tanë janë plagosur në ato operacione më parë. Duhet të shohim pak nga e ardhmja. Ajo që shoh unë, kemi një pjesë këmbësore këtu, pastaj edhe ura që është për këmbësor nga të gjitha anët. Thjesht dua që të shoh më shumë kafiteri ose lule dhe t’i ndërlidhim këto dy zona të vogla të këmbësorëve në mënyrën më paqësore të mundshme dhe besoj që ky të jetë destinimi përfundimtar i urës”, tha Guerot.

Reagimi i Listës Serbe

“Lëvizje e panevojshme dhe e papranueshme”, është quajtur nga Lista Serbe paralajmërimi për hapjes e Urës së Ibrit.

Partia më e madhe e serbëve ka shtuar se “qëllimi është destabilizimi i situatës”.

“Kujtojmë se situata aktuale është pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Njëkohësisht theksojmë se trafiku aktualisht po rrjedh normalisht nga pjesa jugore në veri të qytetit në katër drejtime, mbi tre ura dhe një rrugë lokale, dhe nuk ka nevojë për urën”, thonë nga Lista Serbe.

LS i ka bërë thirrje KFOR’it, EULEX’it dhe përfaqësueve të Brukselit “që të reagojnë dhe të parandalojnë që të ndodhë një krizë tjetër”.

“I bëjmë thirrje Kfor-it, EULEX-it, por edhe përfaqësuesve të Brukselit që të parandalojnë Kurtin të shkaktojë një krizë tjetër dhe ta pengojnë planin e tij për dëbimin e serbëve nga Kosova. Ju bëjmë thirrje që të reagoni urgjentisht dhe t’i tregoni regjimit në Prishtinë se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, veçanërisht në Mitrovicën e Kosovës, për këtë arsye, nga disa mijëra serb, vetëm një prift jeton në Mitrovicën jugore me familjen e tij nën vëzhgim të vazhdueshëm policor”, kanë thënë nga Lista Serbe.

Por cila është historia e Urës së Ibrit dhe e marrëveshjeve që janë nënshkruar për hapjen për qarkullim e që s’po zbatohen ende.

Në vitin 2014, ishte hartuar një plan nga BE-ja për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim me disa elemente. Sipas atij plani kërkohej respektim i Ligjit të Kosovës, realizimi i vlerësimit teknik të strukturës statike të Urës së Ibrit nga BE-ja dhe hartimi i një projekti për revitalizimin e Urës.

Në mars të vitit 2015 për të arritur këtë qëllim, ishte larguar i ashtuquajturi “Parku i Paqes” dhe në vend të tij ishin vendosur disa barrikada të betonit, të cilat përsëri vazhdonin ta pengonin lëvizjen e lirë.

Në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për hapjen e urës së Ibrit, ku fillimisht parashihej mbyllje e dy anëve të Urës me barriera fikse dhe me kantier deri më 15 tetor 2015. Sipas kësaj marrëveshje parashikohej që Ura të hapej për trafik jo më vonë se fundi i qershorit 2016.

 Përveç kësaj, ishte paraparë edhe rivitalizimi i rrugës kryesore “Mbreti Petar” në një zonë këmbësore, gjithashtu deri në fund të qershorit 2016.

Po ashtu i parashikuar edhe përcaktimi i hartave të kufijve administrativ të zonave kadastrale në Suhodoll dhe Kroi i Vitakut përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të ministrive përkatëse dhe dy Komunave të Mitrovicës.

 Megjithatë, përkundër kësaj marrëveshje, revitalizimi s’ishte kompletuar deri në qershor të vitit 2016.

Me qëllim të bërjes progres, më 5 gusht 2016, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh në një plan të implementimit me qëllim të zgjidhjes së problemit të revitalizimit të Urës së Ibrit.

Sipas këtij plani, Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord që të rivitalizojnë urën dhe rrugën “Mbreti Petar” deri më 14 gusht 2016, dhe që  të hapet Ura për të gjithë trafikun më 20 janar 2017, dhe gjithashtu të angazhohen për konkluzionet e mëparshme për përcaktimin e kufijve administrativ ndërmjet Mitrovicës Jugore dhe Veriore deri më 14 tetor 2016.

Pavarësisht gjithë këtyre marrëveshjeve, ura kryesore nuk është hapur për të gjithë trafikun dhe vazhdon të jetë temë që po shkakton kokëçarje për Kosovën dhe BE-në edhe pas 8 vitesh.

Go to TOP