Shtohen rastet e `kollës së mirë` tek fëmijët në Shqipëri

Të vegjlit po preken më së shumti nga pertusi, ose siç njihet ndryshe “kolla e mirë”, e cila aktualisht në vendet e rajonit e më gjerë po regjistron raste në rritje.

Kjo sëmundje është ngjitëse përmes spërklave të pështymës dhe prek çdo lloj moshe, por më së shumti fëmijët dhe adoleshentët, pavarësisht nëse je i vaksinuar apo jo. 

“Kemi një përhapje të pertusit ose sëmundjes që quhet kolla e mirë. Zakonisht prek bebet e vogla, të cilat nuk e kanë marrë të plotë materialin e injeksionit vaksinal, duke qenë se ata janë në shtëpi edhe pranë motrave apo vëllezërve më të rritur dhe njëherazi anëtarë të ambienteve komunitare apo çerdheve, kopshteve e shkollave,” shpjegon pediatrja Lori Gjoni.

Pediatrja e QSUT-së tregon se në fakt sëmundjet infektive po qarkullojnë më shpesh për shkak edhe të uljes së vaksinimit.

“Sëmundshmëria është rritur ndjeshëm edhe falë përhapjes së disa sëmundjeve infektive si pasojë e mungesës së vaksinimit. Kemi vënë re kohët e fundit që kemi një rënie të ndërgjegjësimit nga ana e prindit për të fëmijët e tyre,” thotë mjekja.

Në urgjencën pediatrike të QSUT-së mjekët po trajtojnë infeksione të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes, të cilat pësojnë edhe ndërlikime.

“Ato komplikohen më pas edhe me një virozë, e cila kalon në infeksion dhe dhimbje të veshit, kalon më poshtë në faringjit e tonsilit dhe në rrugët e poshtme të traktit respirator. Kemi pasur edhe ndërlikime të infeksioneve siç janë otitet, trakeitet apo edhe bronkitet,” shton pediatrja Gjoni.

Urgjenca trajton jo vetëm vizitat ambulatore nga Tirana, por edhe raste komplikacionesh që referohen nga spitalet e rretheve për shtrim.

Go to TOP