Shtirej si polic në Prishtinë, një burrë me 21 vepra penale dënohet me 8 vjet burg për dhunim dhe ngacmim seksual
Një burrë me një dosje prej 21-veprave penale është dënuar me tetë vjet burgim unik e 500 euro gjobë, pasi që Gjykata e Prishtinës e gjeti fajtor se në dy raste të ndryshme, duke u shtirur si polic, ka dhunuar një vajzë dhe ka ngacmuar seksualisht një tjetër. Kështu, ai ka kryer tri vepra penale, dhunim, ngacmim seksual dhe prezantim i rremë si person zyrtar, shkruan Kallxo.com
I njëjti ka qenë recidivist, i dënuar edhe më parë me një vit e gjysmë burgim për veprën dhunim dhe 300 euro gjobë për veprën ngacmim seksual. Ai ishte dënuar dhjetëra herë edhe për veprat mashtrim, lëndim i lehtë trupor, sulm e vjedhje.
Sipas aktgjykimit, përderisa e dëmtuara ka qenë duke kryer marrëdhënie seksuale me të dashurin e saj në parkingun e një supermarketi, i cili gjendet afër Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, siç thuhet në aktgjykim, i akuzuari, duke u prezantuar si polic, e ka detyruar të dëmtuarën që të dalë nga vetura, me pretekstin se duhet ta dërgojë në shtëpi pasi që po i duket e mitur, ndërsa të dashurit të saj i ka thënë se po e pret policia poshtë.
“I akuzuari kishte detyruar të dëmtuarën e lartcekur për ta përcjellë në shtëpinë e saj dhe i njëjti duke përcjellë e dërgon në një garazhë-bodrum të banesave në Lagjen “…” në Prishtinë, duke e shfrytëzuar situatën në të cilën ishte e dëmtuara e pambrojtur dhe kur siguria e saj ishte në rrezik pa dëshirën e saj, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë” – përshkruhet më tutje në aktgjykim.
Ky rast ka ndodhur më 5 dhjetor 2018, rreth orës 19:30.
R.S. është gjetur fajtor edhe për veprën ngacmim seksual, të cilën, sipas Gjykatës e ka kryer një vit e gjysmë më vonë, në mënyrë të ngjashme.
Në parkingun e supermarketit të njëjtë, i akuzuari i është prezantuar si polic një çifti tjetër, i cili po qëndronte në makinë.
Ai e ka detyruar të dëmtuarën që të ndahej nga i dashuri i saj, kinse për ta dërguar në stacion policor, për arsye të pandemisë Covid-19.
“…Në vend te kësaj e ka dërguar në një vend të errët garazhe-bodrum te banesave në Lagjen “…” ne Prishtinë, duke e shfrytëzuar situatën në të cilën ishte e dëmtuara e ngacmon seksualisht duke e prekur në pjesët intime të trupit, e puthë dhe më pas e ka detyruar pa vullnetin e saj te zhvishet nën pretekstin se do t’i bëj një analizë për te vërtetuar virusin Covid-19 dhe të dërgohet në karantinë” – thuhet në aktgjykim.
Ky rast ka ndodhur më 11 maj 2020, rreth orës 15:30.
Gjykata gjen se të dyja rastet kanë ngjashmëri shumë të madhe në mes të tyre, pasi që veprimet e të akuzuarit pothuajse janë identike, gjë që përforcon bindjen e gjykatës se i akuzuari ka kryer këtë vepër me dashje direkte.
“Dhe i njëjti ka arritur që përmes prezantimit të rremë si zyrtarë policor të ushtrojë ndikimin e tij tek e dëmtuara për ta dërguar në vende të errëta, përkatësisht në njërën nga garazhat e lagjes …dhe t’i kënaqë epshet e tij seksuale duke kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj” – thuhet në vendimin e gjykatës
Mbrojtësi i të akuzuarit R.S, avokati Fitim Malokaj, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se nuk është provuar aktakuza e prokurorisë dhe gjykatës i ka propozuar të akuzuarin ta lirojë nga Aktakuza. Kurse, i akuzuari R.S, në fjalën përfundimtare deklaroi se e përkrahë fjalën përfundimtare të dhënë nga mbrojtësi i tij dhe nuk ka tjetër se çfarë të shtojë.
Derisa gjatë shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari R.S, kishte deklaruar se të dëmtuarën K.S e njeh prej vitit 2017 ose 2018, pasi që kanë pasur lidhje dashurie me të. Ndërsa në ditën kritike ka mohuar të ketë qenë tek parkingu i supermarketit.
Në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej datës 05 qershor 2020 deri më 16 nëntor 2020, në atë mënyrë që një ditë e qëndrimit në paraburgim apo arrest shtëpiak barazohet me një ditë burgim.
Trupi gjykues ka qenë i përbërë nga gjyqtarja Alltën Murseli – kryetare dhe gjyqtarët Gazmend Bahtiri e Gëzim Ademi – anëtarë.
Ky trup gjykues nuk ka gjetur asnjë rrethanë lehtësuese, ndërsa si rrethana rënduese ka llogaritur faktin që i akuzuari është recidivist, shkallën e lartë të përgjegjësisë së tij pasi që “i njëjti me dashje ka shfrytëzuar situatën dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën pa marrë pëlqimin paraprak të saj, intensitetin e rrezikimit apo të dëmtimit të vlerës së mbrojtur, i njëjti i ka shkaktuar dëm fizik dhe psikologjik të dëmtuarës duke i shkaktuar edhe trauma psikologjike”.
Sipas evidencës penale i akuzuari figuron si person i dënuar në 21 raste.
Dosja e tij është si në vijim:
