Shqetësime për mbipeshën te fëmijët, rritet numri i atyre me diabet

12.9 për qind e fëmijëve në Kosovë janë mbipeshë, prej tyre 9.9 janë obezë, gjatë monitorimit që janë bërë në shkollat e Prishtinës thonë profesionistët shëndetësorë. Ata thonë se kjo dukuri është një trend në rritje. Sipas tyre, si rezultat i mbipeshës çdo ditë po rritet edhe numri i fëmijëve që vuajnë nga diabeti.

Nga statistikat që janë prezantuar viteve të fundit del se çdo i katërti fëmijë në Prishtinë është me mbipeshë-obezë. Sipas ekspertëve, kjo vjen si pasojë e kequshqyerjes apo marrjes së kalorive të tepërta përmes ushqimit të shpejtë.

Doktoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare ne Komunën e Prishtinës, Drita Peqani-Gashi, thotë për Radio Kosovën në bazë të vizitave sistematike që kanë bërë nëpër shkolla numri i fëmijëve me mbipeshë është rrit dukshëm në krahasim me vitet e kaluara.

“Numri i fëmijëve që janë mbipeshë është rritur dukshëm, ku në bazë të vizitave qe kemi bërë ne shkollë, statistikat tregojnë se 12.9% janë më mbipeshë kurse 9.9% kanë dalë me obezitet. Derisa gjatë gjithë viteve paraprake ne QKUK janë paraqitur 12 raste të fëmijëve me diabet, vitin e fundit kemi 50 raste te fëmijëve të diagnostikuar me diabet”, ka thënë ajo.

Doktoresha Drita Peqani-Gashi, thotë se mbipesha e pa kontrolluar e fëmijëve dhe obeziteti janë faktorët që çojnë drejt diabetit te fëmijët. Doktori Genc Shala, i cili është internist endokrinolog, thotë për Radio Kosovën se diabeti te fëmijët mund te ketë predispozita gjenetike. Por sipas tij, kjo mund të paraqitet te fëmijët edhe atëherë kur nuk ka një kujdes në stilin e jetës, mënyrën e te ushqyerit, aktiviteteve fizike, etj.

“Diabeti paraqitet mjaft shpesh edhe te moshat e reja, te tinejxherët si dhe të fëmijët e kjo vjen si pasojë e obezitetit. Pra, Diabeti 2 ka dispozita gjenetike që nëse kemi familjarë ose prindërit me diabet predispozitat janë me të mëdha që edhe ne ta kemi diabetin nëse s’kemi kujdes në stilin e jetës”, ka theksuar ai.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, obeziteti përkufizohet si sëmundje që shënon rritje të lartë jonormale të yndyrës trupore të personit, ndërsa mbipesha përkufizohet si yndyrë e tepërt në trup.

Go to TOP