Shkencëtarët zbulojnë një vrimë të zezë 30 miliardë herë më të madhe se Dielli

Një vrimë e zezë ultramasive rreth 30 miliardë herë më e madhe se masa e Diellit është zbuluar nga astronomët në Mbretërinë e Bashkuar.

Shkencëtarët në Universitetin Durham thanë se vrima e zezë gjigante ishte një nga më të mëdhatë e gjetura ndonjëherë. Ekipi i përshkroi gjetjet e tyre si “jashtëzakonisht emocionuese”.

Vrimat e zeza ultramasive janë objektet më masive në univers, me masën midis 10 miliardë dhe 40 miliardë herë më shumë se masa e Diellit. Astronomët besojnë se ato mund të gjenden në qendër të të gjitha galaktikave të mëdha, siç është Rruga e Qumështit.

Këto vrima janë të rralla dhe të pakapshme, dhe origjina e tyre është e paqartë. Disa besojnë se ato u formuan nga bashkimi ekstrem i galaktikave masive miliarda vjet më parë, kur universi ishte ende i ri.

Studiuesit përdorën një fenomen të njohur si lente gravitacionale, në të cilën një galaktikë e afërt veproi si një xham zmadhues gjigant. Kjo zbuloi praninë e vrimës së zezë, një rajon ku tërheqja e gravitetit është aq e fuqishme sa që as drita nuk mund të shpëtojë, shkruan Guardian.

Shkencëtarët përdorën simulime superkompjuterike në universitet dhe imazhe të kapura nga teleskopi hapësinor Hubble për të konfirmuar madhësinë e saj.

Go to TOP