Shiu i rrëmbyeshëm paralizon kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbain

Reshjet e dendura në kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbai, kanë vështirësuar jetën e miliona njerëzve, duke përmbytur rrugët dhe duke shkaktuar anulime të fluturimeve dhe trenave.

Shumë pjesë të qytetit janë ende të përmbytura me ujë deri në bel, me video që tregojnë banorët duke notuar nëpër rrugët e mbushura me ujë, ndërsa mbeturinat derdhen nga kanalizimet e bllokuara.

Autoritetet të martën shpëtuan 600 persona që mbetën të bllokuar në një sistem monoraili të mbingarkuar, i cili u ndal në mes të rrugës. Të paktën 23 prej tyre kanë marrë trajtim për mbytje ose probleme me frymëmarrjen, sipas zyrtarëve, raporton BBCNews.

Reshjet e musonit janë të zakonshme në shtetin Maharashtra – ku ndodhet Mumbai – rreth kësaj periudhe të vitit.

Por këtë herë rajoni po përjeton reshje veçanërisht të mëdha. Të paktën 21 persona kanë humbur jetën këtë javë nga aksidente të lidhura me shiun në të gjithë shtetin.

Vetëm në katër ditë, Mumbai ka regjistruar 800 mm reshje, sipas Departamentit Meteorologjik të Indisë, çka është shumë më tepër se mesatarja për muajin gusht.

Departamenti i motit në Indi ka lëshuar një alarm të kuq për qytetin dhe distriktet përreth, duke parashikuar reshje shumë të dendura edhe të mërkurën, por gjithashtu ka deklaruar se situata pritet të përmirësohet më vonë gjatë javës.

Shumica e shkollave dhe kolegjeve janë mbyllur dhe rreth 350 persona janë zhvendosur nga zonat e ulëta të qytetit në strehimore të përkohshme.


Go to TOP