Shembja e miteve të rreme

Edvin Shvarc

20 shkurti i vitit 1991, ka hyrë në historinë shqiptare si dita kur u shkatërrua përfundimisht miti i rremë i diktatorit Enver Hoxha, si dita kur shumica e shqiptarëve të denjë morën frymë lirisht duke u çliruar nga një makth gjysmëshekullor dhe kur një pakicë përjetoi ”përbaltjen” dhe ”poshtërimin” e ”babait të tyre shpirtëror”, rreth së cilit kishin ngritur ekzistencën dhe shijimin e privilegjeve të tyre të pamerituara. 20 shkurti ishte ora e së vërtetës, pika e ndarjes së dy epokave, çasti kur pjesa dërrmuese e mbarë popullit shqiptar festonte rrëzimin e monumenteve të diktatorit nga piedestalet ku e kishin ngritur pa të drejtë dhe kur, njëkohësisht, klasa sunduese kërcëllinte dhëmbët nga inati tërësisht e shurdhuar nga këmbanat që binin fuqishëm duke paralajmëruar fundin e sundimit të tyre gjakatar. Që nga ajo ditë nuk do të kishte më në Shqipëri diktaturë proletariati, nuk do të kishte më luftë klasash dhe vëllavrasje në emër të idealeve komuniste dhe shqipja dy krenare do të valëvitej e lirë pa yllin pesëcepësh mbi kokë. Më e rëndësishmja ishte se shqiptarët do të shkonin në zgjedhjet e para demokratike pas 46 vjetësh tërësisht të çliruar nga hija e rëndë e E. Hoxhës dhe do të vendosnin vetë për të ardhmen e tyre, pa kaluar mes përmes traumës së një lufte të mundshme civile për meritat apo krimet e regjimit hoxhist.

Këto arritje të rëndësishme erdhën si pasojë e drejtpërdrejtë e Grevës së Urisë së zhvilluar nga studentët e Universitetit Shtetëror të Tiranës nga 18 deri më 20 shkurt 1991. Si edhe pse u bë Greva e Urisë e shkurtit 1991? Cilat qenë synimet e saj dhe nga cilët u organizua? Kush do të përfitonte dhe kush do të humbiste nga kjo Grevë? A ishin me të vërtetë studentët ”heronjtë vetëflijuese” të demokracisë së brishtë shqiptare, siç u quajtën nga populli i Tiranës, apo ishin ”bukëshkalët dhe vandalët” që bashkë me ”forcat e errëta” ishin ”gati të profanonin edhe varret e të parëve”, që cënonin stabilitetin e forcave politike dhe rrezikonin ta shpinin vendin në kaos? Këto janë disa pika të rëndësishme, mbi të cilat ky shkrim do të mundohet të hedhë pakëz dritë, pa pretenduar të monopolizojë të vërtetën, pasi vetëm pjesëmarrësit kryesorë në ato ngjarje, së bashku me historianët, e kanë atë të drejtë ekskluzive.

Menjëherë pas ardhjes së pluralizmit politik dhe demokracisë së ndrojtur shqiptare në saje të fillimit të Lëvizjes Studentore në dhjetor 1990, u formuan partitë e para opozitare, të cilat në gjirin e tyre përfshinë edhe shumë studentë entuziastë. Me krijimin e degëve partiake në rrethe, si dhe me zgjedhjen e kryesive, u vu re një mënjanim i qëllimshëm i disa studentëve, të cilët kishin luajtur një rol jo të vogël gjatë protestave të dhjetorit. Ky mënjanim u justifikua me papjekurinë rinore të disave, me mungesën e përvojës politike të disa të tjerëve, si dhe me pretekstin se studentët me sjelljen e pluralizmit e kishin përfunduar rolin e tyre historik. Kështu që studentët iu rikthyen detyrës së tyre kryesore – iu futën përsëri shkollës dhe dhanë provimet e sezonit të janarit, duke konstatuar me habi se Universiteti vazhdonte të ishte akoma i politizuar tej mase, se dispensat përmbanin kapituj të tërë me frymën marksiste-leniniste, aq sa edhe libri i ”Hyrjes në Gjuhësi” fillonte me një citat të Stalinit! Puna arriti deri aty, saqë ata pedagogë dhe dekanë, të cilët i kishin kërcënuar studentët me përjashtim nga shkolla gjatë protestave të Dhjetorit, tani po i merrnin përsëri në provime apo vazhdonin t’u jepnin leksione mbi rolin vendimtar të Partisë së Punës në historinë e Shqipërisë dhe mbi figurën ”polihedrike” të shokut Enver, portretet dhe bustet e të cilit vazhdonin të qëndronin hijerëndë në auditorët e akullt!

Të dëshpëruar dhe të prekur në sedër, deri diku edhe të përdoruar nga të tjerët, studentët mendonin se duhej bërë gjithçka për depolitizimin e Universitetit dhe se kishin akoma aftësi për të kontribuar në të mirën e Shqipërisë. Me iniciativën e një grupi studentësh, midis të cilëve ishin: Arben Lika dhe Shinasi Rama, u krijua Shoqata Studentore ”Fan S. Noli”. Kjo Shoqatë me një program të përcaktuar qartë synonte organizimin e të gjithë studentëve të shkollave të larta në një trup të vetëm, depolitizimin e Universitetit, rritjen e nivelit edukativ, administrimin e mjediseve studentore, bashkëpunimin me studentët kosovarë dhe shkëmbimin e përvojës dhe të dijeve edhe me universitete të huaja për të mundësuar krijimin e një shtrese të re kuadrosh intelektualë, të cilët në një të ardhme të afërt do të kontribuonin jo vetëm në përparimin e begatinë e atdheut, por edhe në konsolidimin e demokracisë.

Shoqata ”Fan S. Noli” bëri disa takime dhe mbledhje në Fakultetin Filologjik, Institutin e Lartë të Arteve, Inxhinieritë Elektrike-Mekanike, si dhe hyri në kontakte me Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës dhe shkollat e larta në Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër. Qëllimet e saj ishin fisnike dhe largpamëse, mirëpo pavarësia qoftë ideologjike, qoftë edukative apo qoftë edhe politike e studentëve nuk u interesonte të gjithë atyre që synonin t’i mbanin studentët nën fre dhe t’i përdornin me vonë si vegla politike ose thjesht edhe si një potencial të mundshëm votues. Pikërisht për ta parandaluar këtë pavarësi si dhe shtrirjen e forcimin e Shoqatës ”Fan S. Noli”, me një shpejtësi dhe lehtësi të habitshme për kohën, u krijua dhe futi dokumentet për legalizim në Ministrinë e Drejtësisë, Shoqata Studentore Shqiptare, programi i së cilës çuditërisht përmbante jo pak pika ”të huazuara” nga programi i ”Fan S. Nolit” dhe drejtuesit e saj ishin të vetëshpallur.

Në këtë kohë Instituti i Kamzës kishte filluar protesta me karakter kryesisht ekonomik. Në përkrahje të tyre, studentët e Universitetit të Tiranës u mblodhën në Qytetin Studenti duke bojkotuar leksionet; dërguan në Kamëz edhe një delegacion. Mitingjet dhe grumbullimet në sheshin para mencave sa erdhën dhe u shpeshtuan duke dhënë përshtypjen e ripërtëritjes së Lëvizjes Studentore. Përfaqësuesit dhe udhëheqësit kryesorë të Shoqatës Studentore mbanin fjalime të përditshme ku shprehnin mendimet dhe ndjenjat e tyre. Midis tyre shquheshin Blendi Gonxhe, Ridvan Peshkëpia, Arben Sulo, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Arjan Manahasa, Ilir Dizdari, Nesti Kiri dhe shumë të tjerë që provonin oratorinë e tyre. Nga Kamza erdhi dhe foli një ditë edhe Bislim Ahmetaj, njëri prej udhëheqësve studentorë të atjeshëm. Thelbi i fjalimeve të tyre ishin talljet me diktatorin Hoxha, me jetën dhe veprat e tij duke arritur deri aty sa të ironizoheshin edhe poezitë e kujtimet e ndonjë ish-bashkëluftëtari të udhëheqësit komunist. Të gjitha këto fjalime shoqëroheshin nganjëherë edhe me këngët e Xhon Lenonit dhe të Bitëllsave ku kërkohej t’i jepej ”një shans paqes” dhe imagjinohej një botë e lirë dhe e çliruar nga çdo lloj tiranie, një botë ideale ku njerëzit do të jetonin të lumtur e në harmoni të plotë. Mirëpo, dalëngadalë këto mitingje po humbnin shpirtin e tyre të protestës dhe pjesëmarrja e studentëve po pakësohej. Vetëm ata më të vendosurit, një pjesë e të cilëve e quanin njëri-tjetrin me shaka ”veteranë të Lëvizjes”, pasi ishin aty në shesh që nga 8-9 dhjetori, vinin përditë, duke pritur që protesta të kristalizohej dhe përpjekjet e sakrificat e tyre të arrinin njëfarë rezultati. Në një nga mitingjet e janarit, pesë studentë ku midis tyre ishin I. Panajoti, E. Lohja dhe vëllezërit R. dhe E. Kubati u arrestuan dhe u mbajtën për disa orë në Rajonin 2 të Policisë vetëm, sepse kishin bërtitur ”Enver-Hitler!”. Më 22 janar 1991, Presidenti Ramiz Alia nxori dekretin famëkeq numër 7459 ”Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve”, dekret i cili kishte si qëllim vetëm ruajtjen e figurës së udhëheqësit komunist Enver Hoxha, pasi askush nuk kishte ndërmend të rrëzonte bustet e De Radës, Vëllezërve Frashëri apo të zbriste Skëndërbeun nga kali. Pikërisht për këto arsye, drejtuesit e protestave dhe oratorët e improvizuar merrnin leje përditë në polici dhe ishin të detyruar të paraqisnin që më përpara listën e folësve. Për habi të shumë studentëve, emri i Shinasi Ramës, njërit prej udhëheqësve më të flaktë e më të besuar të Dhjetorit si dhe njëri prej themeluesve të Shoqatës ”Fan S. Noli”, nuk figuronte kurrë në listat e folësve në mitingjet e Shoqatës Studentore.

Në javën e parë të shkurtit, mitingjet kishin filluar të degjeneronin në litani të pafundme për të metat e E. Hoxhës, të Byrosë Politike dhe regjimit komunist dhe jo rrallë herë ishin shndërruar në gallatë apo ishin mbyllur me kërcime në grup nën tingujt e muzikës rok. Edhe pse idetë për heqjen e emrit ”Enver Hoxha” nga Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe shfuqizimi i dekretit për ruajtjen e monumenteve apo depolitizimi i shkollës ishin hedhur ndërkohë, dukej sikur protestave nuk po ia vinte kërkush veshin. Nga qeveria nuk vinte asnjë përgjigje pozitive, përkundrazi Ramiz Alia ishte shprehur që në fillim se nuk u takonte studentëve të vendosnin për emrin e Universitetit të tyre, sepse ai ishte i gjithë popullit dhe se më vonë çështja mund të zgjidhej me një referendum. Në horizont ishte shfaqur mundësia e një greve të urie, e përmendur nga Gonxheja, si e vetmja alternativë paqësore, nëse kërkesat studentore nuk pranoheshin. Mirëpo si mund të hiqej emri i Hoxhës dhe të depolitizohej shkolla, si mund të shkohej drejt Grevës së Urisë, duke u tallur ditë e natë me figurën e diktatorit e duke kërcyer nën tingujt e muzikës së Bitëllsave! Studentëve të thjeshtë si dhe shumicës së ”veteranëve”, iu sos durimi dhe një ditë në javën e dytë të shkurtit kërkuan me këmbëngulje që të lejohej të fliste Shinasi Rama. Ai e mori fjalën dhe me argumente bindëse e me një ton të zjarrtë parashtroi disa ide të tij ku theksoi se rruga për në demokraci do të ishte e gjatë dhe e mundimshme, se demokracia kërkonte shumë punë e djersë e sakrifica dhe se kërkesat dhe idealet studentore duhej të plotësoheshin edhe sikur mbi trupat e studentëve të kalonin tanket dhe ai shesh të lahej me gjak. Fjalimi i tij pati një efekt elektrizues dhe i pasuar nga fjalimet e disa të tjerëve, i veshi protestat me seriozitetin dhe vendosmërinë e duhur.

Përfaqësues të të gjitha organizatave dhe partive politike erdhën dhe shprehën qëndrimin e tyre ndaj kërkesave studentore. Ismail Lleshi i Partisë së Punës u fishkëllye gjatë gjithë kohës dhe nuk u lejua të mbaronte fjalën. Po të njëjtin fat pati edhe Skënder Gjinushi, Ministri i Arsimit. Rrapo Zgurri, përfaqësuesi i Rinisë së Punës së Shqipërisë, edhe pse personalisht bashkohej me kërkesat studentore, në mënyrë zyrtare nuk mund t’i mbështeste ato. Një qëndrim të çuditshëm mbajti edhe Azem Hajdari, i cili së bashku me G. Pashkon, foli në emër të Partisë Demokratike dhe i falënderoi studentët që i kishin dhënë mundësinë të bridhte me makina! Ai pajtohej me kërkesat, mirëpo duke qenë kryetar i një partie opozitare, e cila kishte firmosur paktin e stabilitetit për shmangien e grevave dhe trazirave popullore deri në zgjedhjet e ardhshme, ai nuk mund t’u bashkëngjitej publikisht atyre kërkesave më se të drejta. Akoma më kurioz ishte shkëmbimi i akuzave midis tij dhe Shinasi Ramës. Nën dëborën që binte flokë-flokë dhe në prani të nja 20-30 studentëve, Azem Hajdari tha se ai që përmendte gjakun ishte provokator, ndërsa Shinasi Rama iu përgjigj se ai që e quante atë provokator, ishte vetë i tillë dhe spiun. Studentët e pranishëm nuk e pritën mirë si akuzën e Azem Hajdarit, ashtu edhe grindjen publike të dy shokëve të Dhjetorit, të cilët jo vetëm kishin kaluar bashkë nëpër shumë rreziqe, por që edhe konsideroheshin si udhëheqësit më të rëndësishëm e më me influencë të Lëvizjes Studentore së bashku me Tefalin Malshytin dhe Arben Likën. Mirëpo pozitat e këtyre dy studentëve trima kishin pësuar një ndryshim rrënjësor: Azem Hajdari fliste nga pozitat e Kryetarit të Partisë Demokratike dhe si politikan, ndërsa Shinasi Rama, i cili kishte më se një muaj që kishte dhënë dorëheqjen nga PD-ja, kishte mbetur një student i thjeshtë dhe besnik ndaj idealeve dhe interesave të shokëve të tij dhe mesa dukej që nga ditët e vrullshme të Dhjetorit kishte rrjedhur shumë ujë…

Në ditët që pasuan, vendosmëria dhe kristalizimi i kërkesave erdhën duke u rritur. Në një nga mitingjet e paligjshëm të shkurtit, Arben Lika, i cili sapo ishte operuar nga apêndiciti, mbajti një fjalim shumë radikal ku arriti deri aty sa që premtoi se “diktatorit, edhe kockat do t’ia zhvarrosnin e do t’ia pushkatonin”. I dëgjuar me qetësi, ai fjalim do të tingëllonte si një thirrje revanshiste dhe çnjerëzore, por në kontekstin e atyre ditëve nuk bënte gjë tjetër veçse nxirrte në pah urrejtjen ndaj së kaluarës vëllavrasëse dhe vendosmërinë për plotësimin e kërkesave të studentëve.

Duke mos patur asnjë rrugë tjetër paqësore, studentët me një Komision Drejtues të përbërë nga: Arben Lika, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe, Mesila Dode, Ndue Lugja, Ilir Dizdari dhe Ridvan Peshkëpia, vendosën të bëjnë grevë urie deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Greva e Urisë që filloi më 18 shkurt u bë për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti Shtetëror i Tiranës. Kjo grevë u bë për të çmitizuar figurën e një diktatori, i cili jo vetëm e kishte çuar vendin në humnerë, por vazhdonte të sundonte akoma nëpërmjet trashëgimtarëve të tij ideologjikë. Greva u bë për të depolitizuar arsimin e lartë, si edhe për të anullimin e dekretit famëkeq të mbrojtjes së monumenteve. Gjithashtu, studentët kërkonin edhe lirimin e të burgosurve të fundit politikë, që mbaheshin akoma në burgjet e tmerrshme të Burrelit, Spaçit dhe Qafë-Barit. Synimi kryesor i pjesës më të kthjellët të studentëve grevistë ishte shmangia e luftës civile, një konflikt i paevitueshëm për kohën, nëse vazhdohej akoma të ruhej status quo-ja e imponuar nga drejtuesit e shtetit dhe partitë opozitare. Logjika e thjeshtë të çonte në përfundimin se populli shqiptar nuk do të mund të shkonte dot në zgjedhjet e para demokratike i çliruar nga ankthi i së kaluarës, nëse debatit mbi figurën e Enver Hoxhës nuk i jepej një zgjidhje një orë e më parë. Ky debat do të vazhdonte të vlonte derisa të plaste ndoshta edhe në një konflikt të armatosur vëllavrasës, siç e treguan krijimi i Shoqatës së Vullnetarëve të Enverit dhe vringëllimi i armëve, retorika e Hysni Milloshit, ngjarjet në bulevard më 21 shkurt 1991 apo përleshjet në Shkollën e Bashkuar disa ditë pas rënies së monumentit të diktatorit.

Propozimi i Alisë mbi mbajtjen e një referendumi nuk premtonte asgjë të mirë. Referendumi mund të ishte një pyetje e vetme: ”A ka qenë udhëheqës i madh i kombit Enver Hoxha?” Apo ”A e meriton Universiteti Shtetëror emrin e Enver Hoxhës?” Një përgjigje ”Po!” ose ”Jo!” nuk do të zgjidhte asgjë dhe i gjithë monstruoziteti komunist do të kalohej me një: ”Po, edhe gabime janë bërë!” Këto ishin në të vërtetë arsyet pse u bë Greva e Urisë. Kujt i interesonte dhe kujt nuk i shkonte për shtat kjo Grevë? Cilat ishin forcat e brendshme që e shtynë përpara kryerjen e këtij misioni historik dhe cilët ishin ata që punuan natë e ditë kundër zhvillimit dhe suksesit të ndërmarrjes studentore? Për arsyet e lartpërmendura, studentët në përgjithësi ishin të mendimit se me këtë Grevë po i bënin një shërbim të madh jo vetëm mbarë popullit shqiptar, por edhe po vazhdonin përmbushjen e misionit të tyre historik. Nga çmitizimi i figurës së Enver Hoxhës përfitonin të gjithë ata shqiptarë të vërtetë, të cilëve u ishte shkatërruar jeta, ëndrra, puna dhe mundi, djersa dhe gjaku nga regjimi komunist dhe lufta e klasave. Përkundrazi, një pakicë njerëzish që kishin lyer duart me gjak dhe e kishin bazuar ekzistencën dhe ngjitjen e tyre në pushtet rreth diktaturës së proletariatit, kërkonin që për të ruajtur privilegjet dhe pozitat e tyre shoqërore, historisë të mos i bëhej asnjë revizionim. Në radhët e studentëve kishte bij e bija sekretarësh partie dhe komunistësh, kishte edhe nga ata që ishin rritur në oborrin apo prehërin e Enver Hoxhës. Aty kishte, gjithashtu, edhe fëmijë intelektualësh të thjeshtë, fshatarësh, punëtorësh apo nga familje të prekura nga lufta e klasave. Nga grupi i parë, shumica qëndroi e mënjanuar, duke ardhur ndonjëherë për pelegrinazh dhe e shtyrë nga kureshtja deri lart në Qytetin Studenti, për t’u mos u përzier fare me Grevën dhe kërkesat e saj, duke hyrë më vonë në politikë nëpërmjet FRESSH-it nën petkun dhe legjitimitetin e ish-studentëve të Lëvizjes. Ndërsa grupimi i dytë mori pjesë në mos në Grevë, të paktën në përkrahjen e saj, edhe pse pati nga ata studentë që ishin bashkëpunëtorë të fshehtë të Sigurimit, apo që raportonin çdo darkë te eprorët e tyre a në seli partish, prej nga merrnin edhe udhëzimet për sabotimin e Grevës; pra ishin bijtë dhe bijat e pjesës dërrmuese të popullit që në njëfarë mënyre bënë të mundur zhvillimin e kësaj Greve.

Nga ana tjetër, as PPSH-ja, as PD-ja, as partitë e tjera më të vogla opozitare, as Organizata e Rinisë, as Ministria e Arsimit, as dekanatet dhe as Rektorati nuk ishin pro kërkesave të studentëve dhe deri në minutën e fundit, u përpoqën me të gjitha mjetet për parandalimin e saj duke e quajtur të paligjshme. Nga majat më të larta të pushtetit erdhën veç kundërshtime kryeneçe dhe argumente boshe rreth kërkesave studentore. Për të shmangur përplasjen, u hodh versioni i ndarjes së Universitetit në disa pjesë dhe emri do të binte vetvetiu. Funksionarët e lartë komunistë ishin të bindur se në çdo çast ata do të mund t’i shtypnin studentët me zinxhirët e tankeve, siç kishte ndodhur në Tienanmen. Nga PD-ja, e cila kishte mjaft anëtarë në radhët studentore venin e vinin emisarë, të cilët përpiqeshin të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve me pretendimin se duhej ruajtur paqja sociale dhe duhej shkuar në zgjedhje me qetësi duke ua lënë vetëm kutive të votimit në dorë gjykimin mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Një grup udhëheqësish pd-istë që kishin ardhur për ekspeditë në Qytetin Studenti, duke biseduar në mes tyre, shprehën mendimin se meqë Greva ishte e paligjshme, ata s’kishin çfarë t’u bënin më studentëve dhe le t’i parandalonte e t’i rrihte policia! Si të majtët, ashtu dhe të djathtët nuk mendonin se punët do të arrinin deri në grevë urie, pasi ishin tepër të sigurt se do të mund t’i kontrollonin studentët deri në fund me anë të veglave të tyre. Mirëpo i kishin bërë hesapet pa hanxhinë, siç e vërtetoi edhe një mbledhje urgjente midis Ramiz Alisë dhe disa përfaqësueseve të opozitës. Alia, i dëshpëruar nga rrjedha e ngjarjeve, u kërkoi me insistim opozitarëve që t’i nxirrnin studentët nga Greva, ndërsa ata të pafuqishëm, iu përgjigjën se nuk i kontrollonin dot studentët.

Në Grevë u futën 723 djem e vajza, së bashku me disa pedagogë të gatshëm për t’u vetëflijuar në emër të idealeve të tyre. Lista e plotë e këtyre 723 vetëve nuk është bërë kurrë publike, edhe pse iu dorëzua në dorë dy prej anëtarëve të Komisionit Drejtues, Blendi Gonxhes dhe Ridvan Peshkëpisë dhe Ardi Stefës, një student vlonjat që merrej me listat dhe peticionet. Më vonë, persona të paautorizuar lëshuan vërtetime për pjesëmarrje në Grevë, duke bërë që numri të fryhej në mbi një mijë. Edhe ky fakt i shtohet manipulimeve që iu bënë më vonë së vërtetës rreth Lëvizjes Studentore Shqiptare. Studentët filluan të hyjnë në Kinoteatrin e Qytetit Studenti, duke puthur flamurin kuq e zi para afatit të caktuar, në një kohë kur disa anëtarë të Komisionit ishin akoma duke bërë traktativat e fundit dhe ekzistonte mundësia e komprometimit të tyre. Në hyrje të godinës, lart në salla dhe në terrace, ishin varur flamuj kombëtarë pa yllin komunist, shenja e parë se studentët ishin ndarë me kohë nga simbolet e komunizmit. Kur u mbyll dera, atmosfera ishte e qetë dhe optimiste, ndërsa jashtë forcat policore kishin formuar një kordon që ndante grevistët nga të afërmit, nga populli i Tiranës dhe përkrahësit e tyre të zjarrtë. Gjatë natës, kur studentët u rehatuan në një fare mënyre mbi karrige, dërrasa apo batanije, në Qytetin Studenti kishte rënë një heshtje varri. Tek-tuk shihej ndonjë dritë në dhomat e godinave ku konviktorët e paktë që kishin mbetur, prisnin në ankth agimin e së nesërmes, ndërsa rruginat patrulloheshin nga policë dhe ushtarë. Afër mesnatës, ministrat Ismail Ahmeti dhe Skënder Gjinushi erdhën në Grevë për të zhvilluar një takim me Arben Likën, Blendi Gonxhen, Ilir Dizdarin, Shinasi Ramën, Arjan Manahasën, Ndue Lugjën, Ridvan Peshkëpinë dhe Ardi Stefën me qëllim që të parashtronin edhe njëherë versionin e ndarjes së Universitetit në pjesë. Ata morën përgjigje negative dhe u larguan fytyrëngrysur, të ndjekur pas nga talljet dhe fyerjet e atyre që s’kishin gjumë akoma.

Dita e dytë e Grevës gdhiu me një mori telegramesh përkrahëse ku midis të tjerëve ishte edhe një telegram solidariteti i Unionit Studentor të Prishtinës, të cilët u lexuan nga Blendi Gonxhe, i pasuar nga Edmond Bushati. Në mjediset e Kinoteatrit hynin e dilnin pak vetë që sillnin e çonin lajme si: Blendi Fevziu dhe Ben Blushi, korrespondentë të ”Rilindjes Demokratike” dhe Tefalin Malshyti, nënkryetar i atëhershëm i PD-së dhe njëri prej udhëheqësve studentorë të Lëvizjes. Dera qëndronte e mbyllur me kyç dhe çelësin e mbante një njeri i besuar, studenti shkodran Edmond Bushati. Kjo gjë bëhej që të mos futeshin spiunë dhe provokatorë, edhe pse shumë dashamirës dhe studentë të vonuar kërkonin me çdo kusht të ndanin fatin me grevistët; madje, studenti vlonjat Alban Xhiku, që bënte sikur kishte çelësin, nuk ia hapte derën dhe s’e linte të futej brenda as vetë Sali Berishën, sepse mund t’i hynte turma nga pas.

Dikur erdhën përfaqësuesit e Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut: Besnik Mustafaj, Remzi Lani, Elsa Ballauri dhe Kujtim Çashku, të cilët bënë disa fotografi dhe u interesuan për gjendjen e grevistëve. Në orët e para të pasdites erdhi Azem Hajdari, i cili dha lajmin e shumëpritur se emri ishte hequr. U bë një zallamahi e madhe, sepse gëzimi ishte i papërmbajtur, por në mes të rrëmujës dhe haresë së përgjithshme dikush ruajti gjakftohtësinë dhe udhëzoi që askush të mos dilte nga Greva pa u konfirmuar zyrtarisht lajmi. Dhjetëra djem i vunë shpatullat derës kryesore duke mos lejuar disa studentë të ekzaltuar të dilnin jashtë e të festonin me popullin. Ishte një çast tepër delikat dhe gjithçka rrezikohej të dështonte. Shumë shpejt u bë e ditur se lajmi nuk ishte zyrtar duke dalë më vonë i rremë, patjetër duhet të ketë qenë një keqkuptim. Azem Hajdari e kishte patur fjalën për propozimin e ndarjes së Universitetit në pjesë, propozim të cilin disa anëtarë të Komisionit kishin pranuar ta hidhnin në votë para studentëve. Greva për pak sa nuk u prish dhe rrezikoi të dilte jashtë kontrollit, mirëpo në katin e dytë u bë një debat i ashpër ku disa studentë arritën deri aty, sa të akuzonin disa anëtarë të Komisionit për tradhti dhe kompromis. Situata shpëtoi në sajë të fjalimit të Arben Likës, i cili theksoi vendosmërinë e grevistëve për t’u ngujuar deri në rënien e emrit dhe plotësimit të plotë të kërkesave, si dhe në sajë të ndërhyrjes së disa studentëve e pedagogëve. U vendos që Komisioni të zgjerohej, duke përfshirë studentë të besuar e të sprovuar, si: Fred Gemi, Shinasi Rama dhe disa pedagogë. Azem Hajdari, i vënë në pozitë të vështirë, shprehu dëshirën të bënte edhe ai grevë urie, mirëpo pasi ndenji dhjetë minuta, u çua dhe iku.

Pas dëgjimit të lajmeve në radio ku flitej se emri i Hoxhës nuk u përkiste vetëm studentëve, ku nënvizohej ”mbështetja dhe besimi i patundur” i popullit tek PPSH-ja dhe lartësoheshin arritjet e realizimet e planeve në disa kooperativa të humbura bujqësore, studentët u revoltuan dhe, të mërzitur, u bënë gati për të kaluar edhe një natë tjetër barkzbrazur e mendjengritur…

E nesërmja, 20 shkurti 1991, solli zhvillime të njëpasnjëshme e të rrufeshme sa që pjesëmarrësve iu deshën kohë për të kuptuar se ç’kishte ndodhur dhe rëndësinë e pasojat e asaj që ndodhi. Në mëngjes ishte paralajmëruar një greve e përgjithshme e Sindikatave të Pavarura, që mund të paralizonte tërë vendin. Mijëra banorë të Tiranës ishin ngjitur tek Qyteti Studenti, duke demonstruar mbështetjen e tyre. Nga rrethet erdhën në këmbë kavajasit, me të gjitha mjetet e transportit mbërritën shkodranë, korçarë, fierakë, durrsakë e kështu me radhë. Në godinën e Grevës mbizotëronte optimizmi edhe pse nervat ishin të tendosura, sidomos kur një djalosh student u dërgua me urgjencë në spital me një autoambulancë dhe u mor vendimi që, për të ruajtur shëndetin dhe jetën e grevistëve, të fillonin të dilnin një nga një më të dobëtit, vajzat të parat, e pastaj kush nuk e ndiente veten mirë. Një grup doktorësh dhe infermieresh filloi t’u bënte serume glukoze studentëve që ishin zbehur në fytyrë dhe atyre që po u binte të fikët; megjithatë, pjesa dërrmuese e grevistëve ishte e mendimit që nga Greva nuk dilej gjallë, pa rënë emri. Kjo vendosmëri e tyre përforcohej nga fakti që nga jashtë buçisnin thirrjet: ”Studentët janë heronj”, ”Me studentët jemi ne”, ”Të hiqet emri”, të gjitha të shoqëruara me Himnin e Flamurit dhe këngë patriotike.

Me një qendër zëri të improvizuar, një përfaqësues i Sindikatave tha se studentët janë heronj, sepse për të dytën herë po i tregojnë popullit shqiptar sesi bëhet demokracia. Në emër të Partisë Demokratike të Tiranës, inxhinieri Kreshnik Ndreu, vuri në dukje faktin se Partia Demokratike nuk mund të distancohet dot nga studentët, sepse ajo lindi në Qytetin “Studenti”. Pas tij e mori fjalën aktorja Raimonda Bulku, e cila i ftoi nënat dhe motrat të demonstronin përpara Selisë së Presidentit. Turma u var poshtë në Rrugën e Elbasanit, duke u futur në krah të godinës së Radio-Televizionit ku ndeshi me qëndresën e forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Pas autobotit që e spërkati me bojë të kuqe, pas krismave në ajër dhe lëshimit të qenve të kufirit, turma e irrituar dhe e prirë nga të rinj guximtarë me flamurin kuq e zi pa yll, të cilin s’pushonte së valëvituri inxhinieri elektrik Artur Zadrima, iu drejtua qendrës së Tiranës. Në sheshin “Skëndërbej”, pikërisht në zemrën e Shqipërisë, pas disa tentativash dhe përleshjesh me policinë, monumentit të diktatorit iu lidh një kavo prej çeliku dhe e rrëzuan. Rreth orës 14.08 demonstruesit dhe mbarë ata shqiptarë që ndanin të njëjtat ndjenja e mendime, brohoritën të çliruar njëherë e përgjithmonë nga të qenit skllevër. Mbi fytyrat e njerëzve endej një buzëqeshje e shfrenuar lumturie. Më e rëndësishmja ishte që liria kishte ardhur pa u derdhur as edhe një pikë gjak shqiptari.

Ndërkohë, studentët e morën lajmin e mirë, por vendosën të dilnin vetëm atëherë kur të lexohej nga organet e informimit një komunikatë zyrtare. Trungu i monumentit të Hoxhës, pasi u tërhoq zvarrë rrugëve të kryeqytetit, u soll para godinës së Grevës. Aty u zbraz mllefi shumëvjeçar që nganjëherë ca njerëz të shtypur e të poshtëruar e mbledhin si qelb brenda vetes, duke i shtyrë disa të bënin edhe gjeste jo fort të hijshme për një komb të civilizuar që kish arritur të përmbyste sistemin komunist pa djegur, pa shkatërruar e pa gjak. Gjatë pasdites, kur kaloi frika e një reagimi të dhunshëm nga aparatet e diktaturës, godina e Grevës u shndërrua një një han pa porta, edhe pse dera kryesore qëndronte akoma e kyçur. Nga një dritare e thyer në katin e parë hynë studentë që sollën cigare, gazeta, sheqer, madje edhe çokollata, hynë politikanët e rinj të cilët me shall të lidhur në kokë për të imituar studentët grevistë, putheshin e përqafoheshin me servilët e tyre, duke bërtitur se e kishin hequr qelbësirën. Në fakt, monumetin e hodhi populli i Tiranës, e hodhën ata të rinj, që u përleshën me policinë e që, më vonë, u arrestuan e u torturuan, ata që dolën në gjyq më 10 prill 1991 për miting të paligjshëm dhe hedhje monumentesh, ata që gjykatësi Arben Rakipi i liroi nga salla me 45 ditë burg në vend të 3 muajve deri në 3 vjet që kërkoi prokurori Genc Gjokutaj, ata që morën rrugët e kurbetit për t’i shpëtuar hakmarrjes së besnikëve enveristë… As vetë studentët grevistë, të cilët dolën me kokat ulur e të thjeshtë pas lajmeve të orës 20.00 në mes thirrjeve, përqafimeve dhe puthjeve, nuk shkuan aq larg sa të pretendonin për të marrë meritat e të tjerëve.Thirrja e popullit ”Studentët janë heronj” ishte vlerësimi më i lartë për ata që u etiketuan ”bij plangprishës”.

Haraçi që u pagua qe tepër i lartë: gjendja e jashtëzakonshme, mbyllja e Universitetit, eksodi i marsit 1991, vrasjet, lënia në harresë, mërgimi, përbaltja dhe manipulimi rreth Lëvizjes së tyre, shkatërruan shumë ëndrra dhe u ndryshuan rrjedhën e jetës qindra syresh, por dhurata që i bënë popullit të tyre, ia vlente gjithë ato sakrifica. Kanë kaluar shumë vite që atëhere e mjaft vetë kanë marrë medalje, kanë bërë karrierë e janë ngjitur nëpër poste mbi legjitimitetin e marrë padrejtësisht gjatë Grevës apo hedhjes së monumentit, por heronjtë e vërtetë, edhe pse kanë qëndruar të heshtur, vazhdojnë t’i kenë të gjalla e para syve kujtimet e paharruara të atyre ditëve dhe mesazhin historik që Greva e Urisë u bë për të shkatërruar mitin e pamerituar të diktatorit, jo për të ngritur mite të tjerë e thurur legjenda; përkundrazi, Greva u bë për t’i varrosur njëherë e përgjithmonë mitet e rreme./Memorie.al

Go to TOP