Shehu u bën thirrje mërgimtarëve: Regjistrimi për votim deri më 6 dhjetor, zgjedhjet më të rëndësishmet pas luftës

Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka drejtuar një thirrje të fuqishme ndaj mërgatës që të regjistrohet për të votuar në zgjedhjet e ardhshme duke e cilësuar procesin si vendimtar për të ardhmen e LDK-së dhe të shtetit të Kosovës.

Shehu theksoi se zëri i mërgimtarëve ka pasur gjithmonë peshë të jashtëzakonshme për vendin dhe se vota e tyre këtë vit ka rëndësi të veçantë. Ai rikujtoi se afati i regjistrimit për votim nga jashtë vendit është shumë i kufizuar – vetëm deri më 6 dhjetor 2025 – ndaj u bëri thirrje që të veprojnë sa më shpejt.

“Regjistrohuni sot, shpërndajeni thirrjen dhe inkurajoni familjarët e miqtë të bëjnë të njëjtën gjë. Secila votë nga Mërgata është një mesazh dashurie dhe përgjegjësie ndaj vendit tonë,” u shpreh ai.

Shehu paralajmëroi se këto zgjedhje mund të jenë ndër më të rëndësishmet që nga paslufta duke përmendur bllokadën institucionale, krizën financiare dhe sanksionet ndërkombëtare si arsye që rrisin peshën e procesit.

“Sytë tanë janë drejt mërgatës – gjysmës së zemrës sonë, fuqisë sonë të bashkimit, zhvillimit dhe progresit shtetëror,” deklaroi ai.

Detajet dhe mënyra e regjistrimit gjenden në platformën zyrtare të KQZ-së për mërgatën. /Kosova.info/


Go to TOP