Serbia vazhdon të arrestojë shtetas të Kosovës me akuza për krime lufte

Beogradi zyrtar nuk ka dhënë përgjigje ndaj kërkesave të Kosovës për lirimin e qytetarëve të saj, të cilët u arrestuan nga autoritetet në Serbi me akuza për krime lufte në fund të viteve ’90.

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është qytetar i Kosovës, i fundit që u arrestua në Serbi. Atij, më 6 janar, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Më 10 janar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia “vazhdon rrugëtimin drejt metodave të [presidentit rus, Vladimir] Putinit” dhe se arrestimet e qytetarëve të Kosovës janë “të qëllimshme dhe të padrejta”.

Përveç Dakajt, në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) lidhur me kërkesat e autoriteteve të Kosovës për ekstradimin e qytetarëve të saj dhe bashkëpunimin me Kosovën, në bazë të Marrëveshjes së ndihmës së ndërsjellë juridike që të dyja palët e nënshkruan në vitin 2013, në Bruksel.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) – organizatë joqeveritare në Serbi – thotë se në raste të tilla, Serbia duhet t’ia dorëzojë të gjitha provat vendit, shtetasi i të cilit është arrestuar.

“Serbia nuk e njeh Kosovën, prandaj ai lloj bashkëpunimi nuk ekziston me prokurorinë atje, edhe pse, më herët, së paku ka pasur bashkëpunim teknik me misionin [e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë] EULEX”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Jovana Kollariq nga FDH-ja.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i Kosovës paralajmëron për rrezikun e mundshëm të arrestimit për të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së, prandaj i këshillon ata që të shmangin udhëtimet nëpër Serbi.

Çfarë thonë në Beograd?

Hasan Dakaj dhe vëllai i tij Xhaviti u arrestuan nga autoritetet serbe më 5 janar, pasi kishin hyrë në Serbi përmes pikës kufitare Merdarë nga Kosova.

Xhaviti, pas ndalimit, u lirua. Ndërkaq, Gjykata e Lartë në Beograd, më 6 janar, ia caktoi Hasan Dakajt masën e paraburgimit prej një muaji, siç iu tha REL-it nga kjo gjykatë, për shkak të rrezikut të arratisjes.

Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë e akuzon atë si bashkëfajtor për krime lufte kundër popullatës civile.

Prokuroria nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se për çfarë krimi bëhet fjalë dhe për çfarë saktësisht akuzohet Dakaj.

Përfaqësuesi ligjor i familjes Dakaj, Xhevdet Smakiqi, tha për Radion Evropa e Lirë se Hasan Dakaj akuzohet sipas nenit 142 të Kodit Penal të ish-Jugosllavisë – për krime lufte, heqje lirie të personave joshqiptarë, rrahje, torturë dhe vrasje.

Smakiqi po ashtu deklaroi se autoritetet serbe pretendojnë se këto krime janë kryer në rrethinën e Prizrenit.

Sipas Smakiqit, Dakaj i ka mohuar kategorikisht akuzat para organeve gjyqësore të Serbisë.

“Ai nuk ka vepruar fare në ato lokalitete dhe ndihet krejtësisht i pafajshëm. Ne e konsiderojmë këtë një burgosje politike. Prokuroria nuk ka identifikuar se kë kërkon, e as dëshmitarët që pretendojnë se do të identifikojnë një person 19-vjeçar, i cili tani është rreth 50 vjeç”, tha Smakiqi.

Dakaj ndodhet në paraburgim në Beograd.

Atij i është caktuar një avokat sipas detyrës zyrtare, me të cilin REL-i nuk arriti të kontaktojë.

Çfarë thonë në Kosovë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.

“Hasan Dakaj, edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera e parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar. Kjo është një sjellje e qëllimshme, dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, theksoi Kurti, më 10 janar.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, e ka vizituar të mërkurën, më 10 janar, Hasan Dakajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale për krime të luft; të Beogradit, ku ai është duke u mbajtur.

“Sa i përket trajtimit të tij, qytetari Dakaj ka theksuar se deri më tani nuk ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit. Ndërkohë, atij i është lejuar të kontaktojë me telefon familjen e tij”, u tha në njoftimin e MPJD-së së Kosovës.

Në njoftim, gjithashtu u tha se gjatë vizitës që i është bërë Dakajt, ai ka konfirmuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit e ngarkon atë “për gjoja krime të luftës kundër popullsisë joshqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999”.

Të mërkurën, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se ministria që ajo drejton është në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila ka informacione për Dakajn dhe po mbikëqyrë gjendjen e tij.

Haxhiu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i bëjë më shumë presion Serbisë, dhe “të mos i injorojë veprimet e tilla që Serbia i bën në vazhdimësi”.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë më herët se lidhur me rastin e kanë njoftuar zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi dhe ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

“Kjo nuk është hera e parë që qytetarët tanë keqtrajtohen, arrestohen dhe mbahen me vite në burgjet serbe, përkundër përpjekjeve tona për të krijuar bashkëpunim juridik ndërkombëtar për çështje të tilla”, tha Haxhiu në një konferencë për media.

Ajo theksoi se Petrit Dula, i cili e ka vuajtur dënimin në Serbi, është dënuar padrejtësisht, ndërkaq Nezir Mehmetajt mbahet ende në paraburgim, pa asnjë bazë.

Kosova më herët ka kërkuar ekstradimin e Dulës dhe Mehmetajt nga Serbia, por përgjigja nuk është kthyer asnjëherë.

Kush dhe pse u arrestua nga Serbia?

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, janë arrestuar katër persona në kufirin e Serbisë me Kosovën, të cilët janë gjykuar për krime lufte.

Në prill të vitit 2012, Mark Kashnjeti u arrestua dhe u gjykua për krime kundër civilëve në Prizren të Kosovës.

Kashnjeti u lirua nga akuzat.

“Gjykata konstatoi se provat, të cilave u referohej gjykata e shkallës së parë, nuk tregojnë me siguri të mjaftueshme se i pandehuri ka ndërmarrë veprimet e inkriminuara, për të cilat akuzohet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jovana Kollariq nga FDH-ja.

Në vitin 2018, Ramadan Maloku u arrestua dhe u akuzua për një krim në Nerodimen e Epërme në komunën e Ferizajt.

Duke pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në mars të vitit 2019, ai u dënua me një vit e gjysmë burgim.

“Ashtu si në aktgjykimet e tjera, me të cilat konfirmohen marrëveshjet për pranimin e fajësisë, gjykata në vend që të shpjegojë aktgjykimin sipas rregullores, ajo vetëm i rendit nenet e Ligjit për procedurë penale dhe në fakt, nuk e dimë se mbi çfarë baze është marrë vendimi”, thotë Jovana Kollariq.

Në nëntor të vitit 2022, Gjykata e Lartë në Beograd e shpalli Petrit Dulën fajtor për krime lufte në një fshat afër Gjakovës, në vitin 1999, ndërsa ai ishte pjesëtar i UÇK-së.

Më pas, Dula u lirua nga akuzat në prill të vitit 2023.

Në Beograd, ai kreu dënimin e gjykatës së shkallës së parë, prej dy vjet burgim.
Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua nga autoritetet serbe në janar të vitit 2020, në pikën kufitare Merdarë, është ende në paraburgim në Serbi.

Ai akuzohet se ka marrë pjesë në krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të komunës së Klinës, në Kosovë, në vitin 1999.

Prokuroria e Serbisë ngriti një aktakuzë kundër tij në korrik të vitit 2020, ndërkaq gjykimi filloi në prill të vitit 2021.

Valon Mehmetaj, vëllai i Nezir Mehmetajt, thotë për Radion Evropa e Lirë se seanca e fundit është mbajtur më 14 dhjetor 2023, ndërsa seanca e radhës pritet në fund të shkurtit të vitit 2024.

“Gjykimi po mbahet, por nuk kanë fakte. Vetëm po ja vazhdojnë paraburgimin”, thotë Mehmetaj.

Ai shton se Neziri është vizituar në burg nga fëmijët e tij, por jo nga ai dhe vëllezërit tjerë.

“Gjithmonë kemi dyshimin se mos po biem në grackë”, thotë Valon Neziraj, duke iu referuar mundësisë së arrestimit edhe të tyre eventual nga autoritetet serbe.

Ai vlerëson se mbajtja e vëllait të tij në paraburgim për katër vjet është “mohim i çdo të drejte njerëzore”.

Prokuroria për krime të luftës e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me procedurën ndaj Mehmetajt.

“Gjyqi u shty shumë herë për shkak të mosardhjes së dëshmitarëve ose pamundësisë për qasje. Po ashtu, për shkak të ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor në këtë rast ka filluar sërish në qershor të vitit 2023”, thotë Jovana Kollariq nga FDH-ja.

Ajo shton se për tre vjet Prokuroria ka insistuar që të merret në pyetje një dëshmitar i mbrojtur, praninë e të cilit nuk është në gjendje ta sigurojë dhe gjykata e toleroi një sjellje të tillë, ndonëse vetë dëshmitari në disa raste i tha gjykatës se nuk dëshiron të dëshmojë.

Gjithashtu, në vitin 2016, Nehat Thaçi, ish-komandanti i policisë për Mitrovicën, u arrestua për herë të parë dhe u lirua në bazë të një urdhërarrestimi të lëshuar nga Gjykata e Lartë e Nishit për terrorizëm.

Në të njëjtën ditë që u lirua ai, u arrestua Hilmi Kelmendi, me akuzën për krime lufte, por prokuroria hoqi dorë nga ndjekja dhe pas disa ditësh, ai u lirua.

Rrezik arrestimi për të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë thonë se Hasan Dakaj dhe Nezir Mehmetaj, aktualisht janë dy qytetarët e vetëm të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Serbi.

Behxhet Shala nga ky këshill thekson se rreziku i arrestimit në Serbi ekziston për të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Ka mundur Serbia, që thjesht të marrë emrat që i duhen asaj ose të kopjojë listën e veteranëve [të UÇK-së] dhe ta fusë në databazat e saj. Në bazë të asaj liste të veteranëve, secilin prej tyre në listë, nëse kanë interes ose mundësi, do ta arrestojnë”, thotë Shala.

Ai këshillon që të gjithë ata ta shmangin udhëtimin nëpër territorin e Serbisë.

Shala konsideron se arrestimet e shqiptarëve në kufi me Serbinë, pritet të intensifikohen.

“Arrestimi i shqiptarëve do të intensifikohet si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të serbëve [nga autoritetet kosovare] apo ngritjes së aktakuzave për krime të luftës në Kosovë. Kjo është thjesht si kundërpërgjigje”, thekson Shala.

Gjatë vitit 2023, Prokuroria Speciale e Kosovë ka ngritur 15 aktakuza për krime lufte. Tetë prej tyre parashohin gjykimin në mungesë.

Cila është zgjidhja?

“Zgjidhja për situata të tilla sigurisht që do të ishte ekzistenca e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes nënshkrimit të një protokolli për bashkëpunim ndërmjet prokurorive speciale të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Jovana Kollariq nga FDH-ja.

Në vitin 2013, në Bruksel, Serbia dhe Kosova arritën Marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Ajo parasheh që të dy vendet të shkëmbejnë kërkesat gjyqësore përmes përfaqësuesve të BE-së.

Sipas marrëveshjes, Kosova fillimisht paraqet kërkesë në Zyrën e BE-së në Kosovë, prej nga bartet në Zyrën e BE-së në Serbi dhe prej aty në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë.

Përgjigja përcillet në të njëjtën mënyrë.

Sipas të dhënave të Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron punën e gjykatave në vend, Serbia nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast lidhur me krimet e luftës.

Lidhur me arrestimet e mëhershme të qytetarëve të Kosovës, Bashkimi Evropian ka thënë se “në rastet e ndjekjes penale, prioritet duhet t’u jepet gjykatave të vendbanimeve, në Kosovë apo në Serbi”.

Go to TOP