Së paku 30 palestinezë të vrarë gjatë 24 orëve të fundit në Gaza
Zyrtarët në Rripin e Gazës thonë se gjatë 24 orëve të fundit, në territor, si pasojë e operacioneve izraelite, janë vrarë së paku 30 persona, duke shënuar kështu ditën më vdekjeprurëse që nga armëpushimi i 10 tetorit.
Zyrtarët në Rripin e Gazës kanë njoftuar se si pasojë e operacioneve të ndryshme Izraelite, përfshirë sulmet ajrore, gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë së paku 30 palestinez përderisa më shumë se 50 të tjerë janë plagosur, duke shënuar kështu ditën më vdekjeprurëse në këtë territor që nga armëpushimi i 10 tetorit.
Sipas burimeve nga Gaza, në mesin e viktimave, janë së paku 4 fëmijë si dhe shumë gra përderisa Tel Avivi zyrtar thotë se forcat Izraelite kanë shënjestruar vetëm caqe militante apo depo të armeve të grupeve të ndryshme.
Zyrtarët në Gaza thonë se këto veprime janë vazhdimësi e planit Izraelit për detyrimin e banorëve palestinez të territorit që të largohen nga Rripi i Gazës dhe, për të vërtetuar akuzat e tyre, ata cekin se që nga armëpushimi, i bazuar në planin e presidentit amerikan Donald Trump. Izraeli ka kryer rreth 400 shkelje të armëpushimit – sipas zyrtarëve të Hamasit, Tel Avivi është duke ekzekutuar sulme ndaj popullatës civile për të nxitur reagim nga Hamasi i cili do ti jepte Tel Avivit arsyetim për ri-okupimin e tërë territorit.
Izraeli, nga ana tjetër, mohon akuzat e Hamasit duke thënë se forcat e armatosura veprojnë vetëm si kundër-përgjigje ndaj veprimeve të militantëve dhe se asnjëherë nuk shënjestrojnë civil në mënyrë të qëllimshme.
Ndërkohë BE-ja dhe disa organizata tjera humanitare kanë thënë se Izraeli, qëllimisht, po i bllokon apo vonon dërgesat e ndihmave të cilat janë të domosdoshme për mbijetesën e banorëve të Gaza-s, të cilët, përveç mungesave të ushqimit dhe ilaçeve tani duhet të ballafaqohen edhe me kushte, çdo herë e më të rënda, atmosferike.
