Sami Kurteshi: Mos blini produkte serbe, Serbia me ato para po blen armë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe përfaqësuesi i kësaj partie në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se një numër i madh i anëtarëve të VV-së bëjnë ftesë që të bojkotohen prodhimet serbe.

Sipas Kurteshit, kjo ndodh sepse ka shumë arsye dhe se ka ardhur një moment që, sipas tij, duhet të mendojnë seriozisht për shumë gjëra, por edhe për sjelljet e Serbisë.

“Është e frikshme kur e shohim se për çka përdoret paraja serbe nga politika serbe në këto momente. Ato përdoren për krijimin e një force ushtarake të madhe. Këtë vit ka mbërritur në 1.5 miliard dollarë dhe kur i mbledhim buxhetet ushtarake të vendeve si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja e Mali i Zi, të gjitha së bashku nuk bëjnë as sa gjysma e investimeve në përgatitjet ushtarake të Serbisë”, është shprehur Kurteshi .

Më tej, Kurteshi tha se ftesa për bojkotimin e produkteve serbe nuk bëhet për dëmtimin e mirëqenies së qytetarit të thjeshtë serb, por i drejtohet politikës serbe.

Kurteshi tha se ka vetëdijesim të qytetarëve të Kosovës që t’i shmangin prodhimet serbe, ndërsa sa i përket asaj se kur është hera e fundit që ai vetë ka blerë prodhime serbe, Kurteshi tha se nuk i kujtohet.

“Ka vetëdijesim të qytetarëve të Kosovës që t’i shmangin prodhimet serbe, por nuk është bërë ndonjë hulumtim shkencor që të shihet se cili është ndikimi i këtyre veprimeve”.

“Nuk më kujtohet hera e fundit kur e kam blerë një produkt serb, ka shumë vjet. Unë nuk e përjashtoj mundësinë që jam lajthitur, por ka ngjarë që gjatë pagesës e kam parë që është produkt serb dhe e kam kthyer”, ka thënë Kurteshi.

Go to TOP