Salih Murat: VMRO nuk ka ndërmend ta ndajë pushtetin me partnerët e koalicionit

Salih Murat ka reaguar me kritika të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke thënë se zëvendëskryeministri Arben Fetahu ishte emri i parë që e braktisi qeverinë, të cilën ai e cilësoi si “përçarëse, selektive dhe pa legjitimitet përfaqësimi”.

Në një postim publik, Murat tha se Fetahu do të mbahet mend si hartues i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të cilin e quajti jofunksional, duke shtuar se ai luajti rolin që i ishte caktuar dhe më pas u largua nga skena politike.

Sipas tij, përgjegjësia për këtë proces duhej të mbetej te zëvendëskryeministri përgjegjës për komunitetet dhe jo t’i transferohej zëvendëskryeministrit të parë, i cili njëkohësisht ushtron edhe detyrën e ministrit për Çështje Evropiane.

Murat parashikoi gjithashtu largimin e ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, si dhe të ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, duke pretenduar se koalicioni VLEN po përballet me një krizë të thellë politike.

Ai kritikoi edhe partitë turke pjesë e qeverisë, duke thënë se ato janë injoruar për dy vjet dhe se partneriteti i tyre me VMRO-në po humb kuptimin.

Në fund, Murat theksoi se VMRO nuk ka synim të ndajë pushtetin me partnerët e saj dhe se, sipas tij, po i përdor ata vetëm për realizimin e programit të vet politik, për t’i lënë më pas jashtë qeverisë.

Go to TOP