Sadiku: Institucionet ende përdorin CD, ndërsa bota po ecën drejt inteligjencës artificiale dhe administratës digjitale
Eksperti i teknologjisë dhe deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka kritikuar përdorimin ende të CD-ve nga institucionet shtetërore për dorëzimin dhe pranimin e dokumenteve, duke e cilësuar këtë praktikë si të vjetruar dhe jashtë hapit me zhvillimet teknologjike.
Sadiku ka thënë se qytetarët dhe bizneset, gjatë procedurave për tenderë, grante apo raporte të ndryshme, ende përballen me kërkesa për përdorimin e CD-ve, ndonëse në vitin 2026 shumë pajisje kompjuterike nuk posedojnë më lexues optikë.
“Është bërë sfidë të gjesh një pajisje që lexon CD. Shumica e laptopëve nuk kanë më lexues optik, e madje as shumë kompjuterë desktop. Është një teknologji e vjetëruar dhe krejtësisht e panevojshme”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, ekzistojnë alternativa moderne dhe më të sigurta për shkëmbimin e të dhënave, si platformat online, shërbimet cloud, transferimi i sigurt përmes internetit dhe pajisjet moderne të ruajtjes së të dhënave.
“Qytetarët dhe bizneset kanë ecur përpara. Fatkeqësisht, shteti ka mbetur prapa”, ka theksuar Sadiku.
Ai ka ngritur shqetësimin për mungesën e investimeve në teknologjinë informative dhe dixhitalizimin e administratës publike, duke theksuar se ndërsa vendet e zhvilluara po avancojnë në inteligjencë artificiale dhe automatizim, institucionet në Kosovë ende mbështeten në metoda të vjetruara.
Sipas Sadikut, përdorimi i CD-ve nuk është vetëm çështje teknike, por lidhet drejtpërdrejt me efikasitetin e institucioneve, kohën e humbur të qytetarëve dhe mungesën e një vizioni të qartë për transformimin digjital të shtetit./Kosova.info/
