Shumë keq zonja presidente, shumë keq
Shkruan: Kadri KRYZIU
Gjykata Kushtetuese është një kolegj prej nëntë (9) gjyqtarësh, ndërkaq është shumë e rëndësishme t’i përkujtohet zonjës Presidente që pika 2 e nenit 19 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese e përcakton qartë që “Gjykata Kushtetuese ka kuorum nëse janë të pranishëm shtatë (7) gjyqtarë”. Para se ta thërriste konferencën për shtyp, e dinte zonja Presidente që Gjykata Kushtetuese aktualisht i ka vetëm shtatë (7) gjyqtarë?
Çfarë do të thotë kjo?
Nëse Gjykatësi Radomir Laban nesër vendos të mos dalë në punë, duke u arsyetuar që ndihet i rrezikuar pasi që Presidentja e Republikës e ka shpallur kërcënim për sigurinë e shtetit, Gjykata Kushtetuese kthehet në një shtëpi prej letre, pra zhvishet tërësisht nga zotësia juridike për të marr vendime.
Ju jeni në detyrë që nga viti 2021. Nëse e dinit që Gjykatësi Laban është kërcënim serioz për shtetin dhe rendin kushtetues, pse nuk u aktivizuat më herët? Pse nuk u angazhuat me partitë politike të përfaqësuara në legjislaturën e kaluar, t’ua shpjegonit atyre që siguria e Republikës është në rrezik dhe që duhet zgjedhur me çdo kusht dy gjykatës të tjerë për pozitat e lëna bosh në kolegjin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pas këtij veprimi, edhe sikur ta shkarkonit Labanin nuk do të bëhej ndonjë dëm.
Në vend që të ushtronit autoritetin tuaj kushtetues dhe me kohë të vepronit në mbrojtje të Republikës, ju zgjodhët ta përdorni fuqinë e zyrës tuaj për të fituar sot vëmendje mediale.
Ju sot zgjodhët ta sulmonit Gjykatën Kushtetuese, në ditët kritike para publikimit të vendimit të saj më të rëndësishëm. Pse zonja Presidente? Pse edhe ju u bëtë pjesë e atyre që punojnë natë e ditë për ta rrënuar besimin e qytetarëve në çdo institucion?
Më ke zhgënjyer shumë, aq shumë saqë as fjalët nuk mund ta shprehin.
Shumë keq zonja Presidente, shumë keq.
