Rutte në Paris: NATO mbështet një paqe të drejtë për Ukrainën dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm të aleatëve
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, iu bashkua liderëve ndërkombëtarë në një takim të Koalicionit të Vullnetit, i mbajtur në Paris. Takimi u bashkëprit nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer.
Gjatë takimit, Rutte mirëpriti përparimin e arritur në aspektet praktike për sigurimin e një përfundimi të drejtë dhe të qëndrueshëm të luftës kundër Ukrainës. Ai vlerësoi rolin dhe përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndjekjen e paqes, si dhe angazhimin e aleatëve për të kontribuar në garantimin e sigurisë afatgjate për Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi mbështetjen e rëndësishme që aleatët dhe partnerët kanë ofruar deri më tani për Ukrainën, por njëkohësisht bëri thirrje për kontribute të vazhdueshme. Ai nënvizoi se Ukraina vazhdon të përballet me nevoja të mëdha, teksa po mbron territorin e saj nga sulmet e vazhdueshme ruse.
“NATO mbetet e përkushtuar që Ukraina të ketë mbështetjen e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin e saj dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme,” u shpreh Rutte duke ritheksuar rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit të aleatëve në këtë fazë vendimtare. /Kosova.info/
