Rusia sulmon infrastrukturën civile të Ukrainës
Rusia sulmoi natën vonë me raketa qendrën e qytetit të Harkivit në verilindje të Ukrainës, si dhe Odesan në orët e para të 17 janarit.
Në këto sulme u plagosën disa civilë dhe u shkatërruan në masë disa ndërtesa banimit. /rel/

Të paktën 17 persona u plagosën, dy prej tyre janë në gjendje të rëndë, në sulmet e fundit në qytet, sipas guvernatorit rajonal Oleg Syniehubov.

Syniehubov tha se sipas informacioneve paraprake, qyteti u godit nga dy raketa anti-ajrore S-300 të konvertuara.

I vendosur vetëm 30 kilometra nga kufiri me Rusinë, Harkivi është nën bombardime të shpeshta që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kryetari i bashkisë së qytetit tha se disa ndërtesa banimi u shkatërruan dhe se nuk kishte objektiva ushtarakë në zonë.






Kievi pretendon se ka rrëzuar 19 nga 20 dronët iranianë Shahad që synonin qytetin port, duke plagosur tre persona dhe duke rezultuar me evakuimin e rreth 130 personave nga shtëpitë e tyre.

Rënia e mbeturinave të dronit goditi ndërtesat e banimit, duke dëmtuar një tub gazi dhe disa automjete në një nga rrethet e portit, tha Ministria e Brendshme.


Moska është përpjekur në mënyrë të përsëritur të godasë infrastrukturën në portet jugore të Detit të Zi të Ukrainës, që kur u tërhoq nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB-ja që lejonte kalimin e sigurt të dërgesave të grurit ukrainas përmes detit.

