Zjarret përhapen në jugperëndim të Francës, evakuohen rreth 20 mijë persona

Rreth 20 mijë persona janë evakuuar në jugperëndim të Francës, pasi zjarret masive kanë përfshirë rajonin e Girondës.

Autoritetet franceze kanë njoftuar se rreth 12 mijë banorë dhe vizitorë janë larguar nga zonat e rrezikuara, ndërsa po zhvendosen edhe rreth 8 mijë e 800 persona të tjerë, raporton BBC.

Sipas zyrtarëve lokalë, zjarret kanë shkatërruar deri tani rreth 3 mijë e 400 hektarë tokë pranë gjirit të Arkashonit, ndërsa rreth 700 zjarrfikës po përballen me flakët.

Shumica e personave të evakuuar gjatë natës ishin turistë që qëndronin në kampingje në gadishullin Lège-Cap-Ferret.

Prefektja e Girondës, Sophie Brocas, tha se rreth 10 mijë vizitorë ishin pjesë e personave të evakuuar nga kampingjet, ndërsa operacionet e fundit të largimit nga zonat e rrezikuara po zhvilloheshin pa probleme në fshatin Claouey, pranë gjirit të Arkashonit.

Deri më tani nuk janë raportuar persona të lënduar, ndërsa disa zona dhe rrugë në pyjet e ekspozuara ndaj zjarreve janë mbyllur për arsye sigurie.

Shefi i shërbimit zjarrfikës të Girondës, Marc Vermeulen, tha se ekipet kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës dhe paralajmëroi se kushtet atmosferike po vështirësohen.

“Temperaturat po rriten dhe era po forcohet. Do të kemi përballë erëra të ndryshueshme, ndaj zjarri do të jetë i vështirë për t’u parashikuar dhe nuk mund të ulim vigjilencën”, deklaroi ai.

Zjarre të mëdha janë raportuar ditët e fundit edhe në Spanjë dhe Itali. Në disa zona në perëndim dhe jug të Madridit mijëra persona janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa në Sicili një zjarrfikës ka humbur jetën gjatë përpjekjeve për shuarjen e një zjarri.

Ndërkohë, në fillim të kësaj jave, dy zjarrfikës lokalë humbën jetën gjatë luftës kundër një zjarri tjetër pranë aeroportit të Bordosë në Francë.

Go to TOP