Rusia ngre aktakuzë ndaj katër të dyshuarve për sulmin afër Moskës

Prokuroria ruse ka ngritur aktakuzë ndaj katër burrave të cilët i akuzon për kryerjen e sulmit në një sallë koncertesh pranë Moskës dhe vrasjen e së paku 137 njerëzve më 22 mars.

Më 24 mars, një gjykatë në Moskë ua caktoi masën e paraburgimit me kohëzgjatje dy muaj katër të akuzuarve për terrorizëm në lidhje me sulmin ndaj sallës së koncerteve pranë Moskës.

Gjykata i zbuloi emrat e të dyshuarave si Murodali Rajabalizoda, Dalerjon Mirzoev, Muhammadsobir Faizov dhe Faridun Shamsiddin, dhe tha se ata janë shtetas të Taxhikistanit.

Tre prej tyre, Mirzoev, Rajabalizoda, dhe Shamsidin, e pranuan fajin për të gjitha akuzat, sipas gjykatës.

Faizov u soll para gjykatës më 24 mars drejtpërdrejt nga spitali me një karrocë dhe qëndroi ulur me sy mbyllur gjatë gjithë seancës, raportoi Associated Press. Ai kishte shumë plagë dhe mbikëqyrej nga mjekët edhe në sallë të gjyqit.

Të dyshuarve iu ofruan përkthyes pasi mbërritën në sallën e gjyqit të përgjakur dhe me fytyrë të ënjtur.

Hetuesit e cituan nevojën për ta ruajtur fshehtësinë e hetimeve dhe sigurinë e pjesëmarrësve dhe të afërmve kur kërkuan që seanca dëgjimore të mbahej me dyer të mbyllura.

Gjatë pjesës kur seanca u mbajt me dyert të hapura, u mësua se Mirzoev është i regjistruar në Novosibirsk, Rusi, dhe se është 32 vjeç. Ai është i martuar dhe i ka katër fëmijë.

Rahabalizoda tha se është 30 vjeç, i martuar dhe se ka një fëmijë.

Katër të akuzuarit janë në mesin e 11 njerëzve që autoritetet ruse thanë se i arrestuan në lidhje me sulmin e 22 marsit.

E diela ishte ditë zie në gjithë Rusinë për nder të viktimave të këtij sulmi, në të cilin u plagosën më shumë se 180 njerëz gjithashtu.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka quajtur “të përgjakshëm, barbarë dhe terrorist” sulmin gjatë një fjalimi më 23 mars, ku nuk e përmendi Shtetin Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin.

Ai pretendoi se Ukraina ishte e përfshirë, gjë që është mohuar kategorikisht nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zyrtarët amerikanë thanë më 24 mars se Ukraina nuk ka gisht në këtë masakër.

Shteti Islamik “është përgjegjësi i vetëm për këtë sulm. Nuk ka pasur aspak përfshirje ukrainase në këtë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson.

Go to TOP