Rusia mund të përgatitet për një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë deri në janar, thotë Ukraina

Rusia ka grumbulluar më shumë se 94 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës dhe mund të përgatitet për një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë në fund të janarit, tha të premten në parlament, ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Oleksii Reznikov, duke cituar raportet e inteligjencës.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Reznikov tha se Ukraina nuk do të bënte asgjë për të provokuar situatën, por ishte e gatshme të luftonte nëse Rusia fillon një sulm.

Ukraina dhe aleatët e saj të NATO-s kanë lëshuar alarmin për lëvizjet e trupave ruse pranë kufijve të Ukrainës këtë vit, duke shkaktuar shqetësime se një konflikt i zjarrtë në Ukrainën lindore mund të shpërthejë në luftë të hapur.

“Inteligjenca jonë analizon të gjithë skenarët, duke përfshirë edhe më të keqin”, tha Reznikov.

“Raporti vëren se ekziston mundësia e një përshkallëzimi në shkallë të gjerë nga Rusia. Koha më e mundshme për të arritur gatishmërinë për një përshkallëzim do të jetë fundi i janarit”, ka shtuar ai.

Ukraina ka ushtruar presion ndaj aleatëve të saj të Bashkimit Evropian dhe NATO-s këtë javë për të përgatitur një paketë të ashpër sanksionesh për të shmangur Rusinë nga nisja e një ofensive.

Go to TOP