Rusia mbyll grupin e të drejtave të njeriut, “Memorial”
Gjykata Supreme e Rusisë ka nxjerrë vendimin me të cilin e urdhëron grupin më të vjetër dhe më të njohur të të drejtave të njeriut, “Memorial”, që të mbyllet. Zyra e prokurorit të përgjithshëm ka kërkuar javën e kaluar në gjykatën më të lartë ruse që t’ia marrë licencën këtij grupi.
“Memorial” është organizatë e njohur ndërkombëtarisht me studimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera kundër qytetarëve të pafajshëm në kohën e Bashkimit Sovjetik. Nën ombrellën e kësaj organizate operojnë edhe pesëdhjetë grupe të tjera më të vogla brenda dhe jashtë vendit.
Gjykata ka vendosur në favor të prokurorisë, e cila ka akuzuar “Memorialin” se krijon imazh të rrejshëm për Bashkimin Sovjetik si shtet terrorist.
Njëherësh “Memorial” është akuzuar se po rehabiliton kriminelët nazistë. Kjo organizatë me nam të madh në botë ishte shpallur më 2016 “agjent i huaj” – etiketim që ia lejon ligji pas ndryshimeve të imponuara nga Qeveria e Vladimir Putinit për të goditur ligjërisht të gjitha OJQ-të, që janë kritike ndaj regjimi të hekurt të Kremlinit.
