Rugova shpalli 24 majin si ‘Ditë të Presidentit’

Më 24 maj të vitit 1992 u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare në Kosovë në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi. Në këto zgjedhje me pjesëmarrje masive të qytetarëve, Ibrahim Rugova, u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës, si i vetmi kandidat. Në nder të kësaj dite presidenti Ibrahim Rugova e shpalli 24 majin si Ditë të Presidentit. Rugova ka shërbyer si president nga viti 1992 deri më 2006.

Më 1988, Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Ai u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989, kur edhe u bë themelimi i partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990) dhe referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, ishin prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992, në të cilat Rugova u zgjodh president.

Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006, duke lënë pas një trashëgimi të pasur politike dhe atdhetare.

Pas vdekjes së Rugovës, në postin e presidenti u zgjodh Fatmir Sejdiu, që e ushtroi atë nga viti 2006 deri në 2010, duke qenë në krye të vendit kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës, e cila më pas u njoh ndërkombëtarisht.

Ai ka qenë pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989, derisa para se zgjidhej president ishte Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së.

Pas Sejdiut, në krye të shtetit ishte Behgjet Pacolli.

Ai shërbeu për një periudhë shumë të shkurtër në vitin 2011, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se zgjedhja e tij si president ishte jokushtetuese.

Më pas presidente konsensuale u zgjodh Atifete Jahjaga, me mandat pesëvjeçar. Ajo ishte kandidate e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christofer Dell.

Më 26 shkurt të vitit 2016 në postin e presidentit u zgjodh Hashim Thaçi, ish-kryeministër dhe lider i PDK-së.

Ai shërbeu në krye të shtetit deri në nëntor të vitit 2020, kur dha dorëheqje pas ngritjes së aktakuzave ndaj tij për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Aktualisht presidente e Republikës së Kosovës është Vjosa Osmani. Ajo fillimisht shërbeu si ushtruese detyre e presidentes pas dorëheqjes së Thaçit, teksa u votua si presidente në Kuvendin e Kosovës më 4 prill të vitit 2021. /rtk/


Go to TOP