RTK shpall konkurs për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka shpallur konkurs publik për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të transmetuesit publik.
Vendimi për hapjen e konkursit është miratuar në mbledhjen e fundit të Bordit të RTK-së, ku pro shpalljes së konkursit kanë votuar nëntë anëtarë të bordit.
Sipas njoftimit, procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm do të zhvillohet përmes konkursit publik dhe në përputhje me procedurat ligjore dhe rregulloret e brendshme të RTK-së.
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar vetëm në formë fizike, në një zarf të mbyllur. Aplikimet pranohen personalisht në ndërtesën e Radio Kosovës, në rrugën “Xhorxh Bush” nr. 41, kati IV, zyra nr. 44, në Prishtinë.
Afati për aplikim ka filluar më 19 qershor 2026, ndërsa do të përfundojë më 6 korrik 2026 në orën 16:00.
Sipas konkursit, mandati i Drejtorit të Përgjithshëm do të jetë trevjeçar, me mundësi rizgjedhjeje në përputhje me procedurat dhe kushtet e përcaktuara në konkurs.
Pozita e Drejtorit të Përgjithshëm konsiderohet një nga postet kyçe drejtuese në RTK, duke pasur përgjegjësinë për menaxhimin dhe drejtimin e përgjithshëm të institucionit publik mediatik.
