Rrëzohet aeroplani që po shuante zjarret në Turqi, vdesin tetë persona

Një aeroplan zjarrfikës i Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve të Turqisë u rrëzua në provincën jugore të Kahramanmaras këtë të shtunë duke lënë të vdekur tetë persona që ishin në bord.

Kontakti u humb me aeroplanin i cili ishte marrë me qira nga Rusia për të ndihmuar përpjekjet e Turqisë për të kontrolluar një zjarr pyjor në Kahramanmaras, tha guvernatori Omer Faruk Coskun, shkruan Anadolu.

Një numër i madh i ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit u dërguan në rajon teksa shkaku i rrëzimit mbetet i panjohur.

Në një deklaratë të veçantë, Ministria Ruse e Mbrojtjes konfirmoi se avioni rus amfib Be-200 u rrëzua gjatë uljes pranë provincës Adana të Turqisë.

Të pesë ushtarakët rusë dhe tre turq në bordin e aeroplanit u vranë në aksident, thuhet në deklaratë.

Një komision i posaçëm i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse si dhe punonjësit e Ambasadës Ruse në Turqi po shkojnë në vend për hetimin, shtoi ai.

Avioni u dërgua në Turqi më 8 korrik për të ndihmuar Turqinë në luftimin e zjarreve.

Be-200 është aeroplani më i madh amfib në botë i krijuar posaçërisht për të luftuar zjarret, përfshirë në zona të largëta, ai mund të mbajë 12 tonë ujë.

Go to TOP