Rreth 250 mijë veta i dhanë lamtumirën e fundit Papa Françeskut
I është dhënë lamtumira e fundit Papa Françeskut. Ceremonia kryesore është mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ndërsa është varrosur në Kishën e Zonjës së Madhe në Romë. Në ceremoninë e varrimit, krahas liderëve botërorë, morën pjesë edhe liderët nga Kosova.
Është mbajtur sot ceremonia e varrimit të Papa Françeskut, i cili vdiq të hënën. Papa Françesku, sipas dëshirës apo testamentit të tij, është varrosur në Kishën e Shën Marisë së Madhe në Romë e jo sikur krerët e tjerë të Kishës Katolike në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Papa Françesku ka qenë aq shumë i lidhur me këtë kishë saqë rrugëtimet e tij nëpër botë I ka nisur aty dhe i ka përfunduar aty me një tufë lule në dorë, një falënderim e një lutje zemre.
Kardinali Giovanni Battista Re, i cili ka udhëhequr shërbesën kryesore, ka thënë se Papa Françesku ka prekur mendjet dhe zemrat dhe ka pasur dëshirë të ndërtojë ura e jo mure.
Papa, gjithnjë sipas kërkesës dhe dëshirës së tij është varrosur me një arkivol të thjeshtë druri të zinkuar përbrenda ndërsa varri i tij të jetë i thjeshtë, në tokë dhe me vetëm një mbishkrim, Franciscus, që është version latin i emrit të tij të zgjedhur.
Në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut kanë marrë liderë të shumtë botëror përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, Princi i Wales-it, Williami, kryeministri britanik, presidenti francez, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky si dhe shumë lidere të të tjerë, përfshirë edhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm rreth 250 mijë qytetarë ndërsa Brenda vetë sheshit të Shën Pjetrit ishin rreth 50 mijë besimtarë e qytetarë. Qindra mijëra qytetarë ishin rreshtuar nëpër rrugët e Romës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papa Françeskut gjatë rrugëtimit të tij nga Bazilika e Shën Pjetrit për në banesën e fundit, në Kishën e Shën Marisë së Madhe.
