Rreth 2100 raste të reja me kancer çdo vit në Kosovë – Onkologjia raporton situatë të qëndrueshme

Klinika e Onkologjisë ka bërë të ditur se trendi i paraqitjes së sëmundjeve malinje në Kosovë mbetet relativisht i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, në baza vjetore regjistrohen mesatarisht rreth 2100 raste të reja duke e bërë situatën të menaxhueshme në nivel mujor.

Vetëm gjatë periudhës janar – 20 mars të këtij viti, në këtë klinikë janë pranuar dhe trajtuar për herë të parë rreth 500 pacientë. Të gjithë ata kanë kaluar nëpër proceset e nevojshme të ekzaminimit, diagnostikimit dhe trajtimit, në përputhje me standardet bashkëkohore mjekësore.

Sipas Klinikës, këto shifra reflektojnë një situatë të qëndrueshme dhe të monitoruar me kujdes nga profesionistët shëndetësorë. Po ashtu, theksohet se incidenca e sëmundjeve malinje në Kosovë mbetet më e ulët krahasuar me disa vende të rajonit.

Klinika e Onkologjisë vazhdon angazhimin për avancimin e shërbimeve duke u fokusuar në diagnostikimin e hershëm, trajtimet moderne dhe kujdesin cilësor për pacientët.

Në të njëjtën kohë, synohet rritja e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike, si dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, në funksion të përmirësimit të shëndetit publik. /Kosova.info/


Go to TOP